Maqedoni
“Grupi i zjarrit”: Do të funksionojmë si fraksion, deri në fitimin e betejës
06.04.2023 14:28
“BDI është shtëpia që kemi ndërtuar dhe nuk do të lejojmë që atë ta njollos dikush.”....

“BDI është shtëpia që kemi ndërtuar dhe nuk do të lejojmë që atë ta njollos dikush.”. Në këtë mënyrë grupi i ashtuquajtur i zjarrit bëri të ditur se do të vazhdojnë të qëndrojë në BDI dhe të funksionojnë si fraksion. Qëllimi i këtij fraksioni për momentin nuk është formimi i një partie të re politike, por që të fitohet beteja brenda BDI-së.
“Fatkeqësisht tre vite me radhë kemi ngritur alarmin se nuk respektohet statuti dhe programi i BDI-së, kjo e dëshmon më së miri mosthemelimi i organeve partiake. Megjithatë sot qëndrojmë para jush si fraksion dhe zotohemi se do të jemi zëri i pakontestueshëm i nevojave dhe kërkesave jo vetëm të elektoratit tonë, por të gjithë shqiptarëve dhe se këtë zë dhe zotim nuk e heshtim me asnjë kusht. Për ne zëri i popullit është mbi gjithçka.”, - deklaroi Visar Ganiu nga BDI.
Lidhur me qëndrimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, se fraksionet janë në kundërshtim me statutin të partisë, Mexhiti tha se fraksionet janë vlerë e demokracisë dhe rikujtoi Ahmetin se pikërisht ai vite më parë ka kërkuar që në BDI të krijohen fraksione. Të pyetur se a ekziston mundësia që të dëbohen nga partia, nga ky fraksion thanë se kjo mënyrë do të nënkuptonte manifestim force dhe se në aspekt juridik në parti ekzistojnë organe si këshilli mbikëqyrës që duhet të mbikëqyrin çdo vendim të organeve partiake.
ERSAN PAJAZITI
