Maqedoni

Gjykimi për Spitalin Modular në Tetovë, mbaroi dhënia e dëshmive, më 25 prill seanca e fundit

06.04.2023 15:12

Ka vazhduar seanca e 11-të në Gjykatën Themelore të Tetovës për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë...

Ka vazhduar seanca e 11-të në Gjykatën Themelore të Tetovës për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, ku si pasojë humbën jetën 14 persona. Gjatë seancës së sotme ishin të ftuar katër dëshmitarë, ndërsa njërin avokatët e palës së mbrojtjes e tërhoqën. Të tre dëshmitarët, të punësuar në Spitalin Klinik në Tetovë deklarojnë se në Spitalin Modular ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit dhe në derën hyrëse ka pasur letër të shkruar se ndalohet hyrja për persona që nuk janë të punësuar. 
 
Bashkim Ibrahimi, i punësuar si sigurim në Spitalin Klinik të Tetovë në cilësinë e  dëshmitarit tha se ka kryer disa punë që nga hapja e modularit. Ndërsa dëshmitari i dytë, Ismail Serani, po ashtu si i punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës,  ka dëshmuar se kanë bartur të vdekur nga spitali modular.
 
“Brenda ditës kemi hyrë 5 apo 6 herë në modular. Kam parë në pjesën e sipërme të modularit aparat kundër zjarrit. Ka pasur letër informuese se ndalohet hyrja e personave të paautorizuar.”, tha Ismail Serani.
 
Eresele Tresi, dëshmitarja e tretë dhe punonjëse në Spitalin Klinik të Tetovës si mjeke, në atë kohë ka punuar në Spitalin Modular, tha se para organeve të hetuesisë ka  dhënë deklaratë në Gjykatën Themelore të Tetovës. “Mendoj se kam parë aparat por nuk ka qenë prioritet i punës sime. Puna jonë ishte që t’u jepnim ndihmë pacientëve. Çdo kush ka qenë përgjegjës që ka qenë në ndërrim dhe nuk ka pasur përgjegjës për Covid qendrën.”. 
 
Seanca e fundit është caktuar me 25 prill,  ku do të jepen edhe fjalët përfundimtare, ndërsa një ditë më pas do të ketë edhe aktgjykim. Avokatët e të akuzuarve Florim Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski, si dhe Spitali Klinik i Tetovës si person juridik, njoftuan gjykatësin se të njëjtit nuk do të prononcohen në seancën e fundit. Në këtë seancë nuk është pranuar kërkesa e avokatëve që Gjykata Themelore e Tetovës të kërkojë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shëndetësisë, Banka Botërore dokumentacionin për ndërtimin e Spitalit Modular në Tetovë. Avokatët thanë se këta institucione nuk u kanë dhënë përgjigje. Dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, përgjegjës për Covid Qendrën dhe Spitali Klinik i Tetovës, akuzohen se kanë rrezikuar sigurinë e përgjithshme me mosvendosjen e aparateve kundër shuarjes së zjarrit. 
 
VISAR SADIKU