Maqedoni

Procesi i ndryshimeve kushtetuese, Pendarovski: Skandaloze të përfshihen bullgarët

06.04.2023 16:40

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, kundërshton kërkesën e ministrit për punë të jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov...

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, kundërshton kërkesën e ministrit për punë të jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov, që Sofja të përfshihet në ndryshimet kushtetuese në vend, me qëllim që procesi të zhvillohet pa ndërprerje. Për modelin kroat, Pendarovski thotë se nuk duhet të humbet kohë dhe s’do të thërrasë takim liderësh.
 
“Kërkesa nga Sofja është skandaloze. Kërkesa të tilla nuk adresojnë as okupatorët e territoreve të shteteve të caktuara. Në shekullin 21 është e papranueshme të kërkoni të ndërhyni në politikat e brendshme dhe proceset kushtetuese në cilindo shtet. Koncepti për popuj shumicë dhe pakicë në shtetin tonë është tejkaluar me marrëveshjen kornizë në vitin 2001. Edhe në ish-Jugosllavi nuk kemi përdorur termin pakica kombëtare, por popuj dhe pjesë të popujve.”, - deklaroi presidenti Stevo Pendarovski.
 
Kovaçevski: Çështje e brendshme e shtetit
 
Pendarovski thotë se në grupet e punës do të delegojë këshilltarin e tij juridik, Aleksandar Spasov. Edhe kryeministri Kovaçevski konsideron që ndryshimi i kushtetutës është çështje e brendshme e shtetit.
 
“Vendimi është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, të partive politike dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ashtu që nuk ekziston as mundësi, as vullnet politik, as mënyrë që kushdo tjetër nga jashtë të përfshihet në këtë proces.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Mexhiti: Do të kërkojmë heqjen e 20%-it
 
Tre deputetët e fraksionit të BDI-së do të kërkojnë që me hapjen e kushtetutës të hiqet formulimi 20%, ndërkohë që do të ushtrohet edhe trysni për zgjedhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
 
“Kushtetuta nuk hapet për ditë. Nuk e kemi lehtë që pas mbylljes kësaj here, që sërish ta hapim pasi për këtë duhen dy të tretat, 80 deputetë. Ta shfrytëzojmë këtë rast që të hiqet një padrejtësi ndaj shqiptarëve. Dhe vlerësojmë që është momenti që të propozojmë një ligj për statusin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.”, - u shpreh Izet Mexhiti nga BDI.
 
E Majta: takime sekrete Kovaçevski - Mickoski
 
Ndërkohë E Majta konsideron që kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski, me ndërmjetësim të palës bullgare po imponojnë modelin kroat.
 
“Me këtë model përmbushet platforma e Sofjes. Si Kali  i Trojës, ky model shpie drejt propozimit francez nëpër grupet e punës, andaj edhe pjesëmarrja në grupet e punës është shenjë tradhtie.”, - theksoi zëdhënësi i së Majtës, Amar Mecinoviq.
 
Nga VMRO – DPMNE paralajmërojnë padi për partinë E Majta, nëse nuk kërkojnë falje, sipas tyre për deklaratën e rreme për takime sekrete të Mickoskit dhe Kovaçevskit. Nga VMRO pohojnë se s’do pranojnë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar.
 
MERAL ISMAILI