Botë

Konflikti Rusi – Ukrainë, Zelensky: Trupat në Bakhmud mund të rrethohen

06.04.2023 17:46

Betejat e ashpra luftarake për marrjen e qytetit ukrainas, Bakhmud, janë duke vazhduar...

Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se forcat ukrainase vazhdojnë ta kenë nën kontroll qytetin, por për herë të parë pranoi se gjasat që qytetit të bije në duart e rusëve janë shumë të mëdha.
 
Gjatë një takimi me presidentin polak, Zelenky bëri thirrje për më shumë armatim. Polonia është aleat i ngushtë i Ukrainës dhe ka luajtur një rol të madh në nxitjen e mbështetjes ushtarake dhe politike perëndimore për Kievin. 
 
“Ne duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës, duhet ta mbështesim atë ushtarakisht, ekonomikisht dhe në nivel humanitar. Do të përpiqemi t’i sigurojmë Ukrainës gjithçka që i nevojitet, tanke, automjete të blinduara transporti, armë kundërajrore, ditëve të fundit edhe avionë ushtarak.”, - deklaroi president i Polonisë, Andrzej Duda.
 
Nga ana tjetër nuk kanë munguar as takimet mes Rusisë dhe aleatëve të saj. Takimi i presidentit rus, Vladimir Putin me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko ishte “i gjatë dhe kuptimplotë”, palët theksuan se do të kapërcejnë së bashku të gjitha problemet në industri dhe mikro-elektronikë të shkaktuara nga sanksionet perëndimore.
 
”Më duhet të them se kemi bërë shumë, si rezultat i punës sonë të përbashkët në të gjitha sferat.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
 
“Do të durojmë dhe do të bëjmë gjithçka edhe në mikro-elektronikë. Fluturojnë raketat dhe pajisjet ushtarake lëvizin, do të kapërcejë gjithçka, do ia dalim bashkërisht, por na duhet pak kohë.”, - u shpreh presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.
 
Rusia synon të vendosë armë bërthamore në Bejllorusi. Vendet perëndimore, duke e parë rrezikun e lartë dhe gjasat që situata të eskalojë, kanë kërkuar ndihmën e presidentit kinez për të ndërmjetësuar në qetësimin e situatës. 
 
“Mund të mbështetem tek ju, domethënë në dy çështjet që sapo kam evokuar, për ta rikthyer Rusinë në vete dhe për t'i rikthyer të gjithë në tryezën e bisedimeve. Këtë do ta shqyrtojmë në detaje, por duhet të rivendosim një paqe të qëndrueshme, kjo do të thotë, një paqe që respekton kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe që shmang çdo përshkallëzim, në të gjitha format e saj.”, - theksoi presidenti francez, Emmanuel Macron.
 
“Problemet dhe kaosi janë gërshetuar njeri me tjetrin këto tre vite. Kina dhe Franca kanë aftësi dhe përgjegjësi që t’i tejkalojnë këto rreziqe dhe hendeqe, kur bëhet fjalë për paqen botërore, stabilitetin dhe prosperitetin.”, - u shpreh presidenti i Kinës, Xi Jinping.
 
Edhe pse Pekini thotë se mban qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, vizita e Xi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, dy javë më parë dërgoi një mesazh partneriteti mes dy vendeve.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU