Maqedoni

Statusi i UNESCO-s për liqenin e Ohrit, Ekspertët: Nuk janë përmbushur rekomandimet

07.04.2023 14:21

Po afrohet koha për t’u vendosur nëse Liqeni i Ohrit do të ruajë statusin si trashëgimi botërore në UNESCO...

Po afrohet koha për t’u vendosur nëse Liqeni i Ohrit do të ruajë statusin si trashëgimi botërore në UNESCO apo do të hyjë tek lista e trashëgimive në rrezik. Nga institucionet e dy qyteteve, Strugës dhe Ohrit, UNESCO kërkoi që të plotësojnë rekomandimet e dhëna dhe të vijnë me një plan menaxhimi për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore. Tre parametrat kryesorë që rekomandoi UNESCO për të ruajtur statusin janë se objektet që ndërtohen përreth liqenit, të jenë minimumi 50 metra larg bregut të liqenit, ata duhet të kenë leje për ndërtim nga ministria e kulturës dhe e fundit objekti që ndërtohet nuk duhet të pengojë pamjen e objektit që ka pas. Sipas ekspertëve këto kanë mbetur vetëm rekomandime dhe asnjë prej tyre nuk është respektuar plotësisht. Sipas tyre problemi qëndron tek mosfunksionimi  strukturave bilaterale si dhe keqmenaxhimi nga ana e institucioneve. 
 
“Për mua problemet që kanë dal janë komplekse, janë probleme për shkak të mosfunksionimit real të strukturave bilaterale, e dyta janë problem që kanë të bëjnë edhe me ngritjen e kapacitetit të shoqërisë civile, ngritjen e kapacitetit të strukturave lokale për të qenë ato koherentë mbi stadin, mbi situatën dhe të din të njohin të gjitha detyrimet që kanë karshi këtij statusi që për mendimin tim, por jo vetëm është një status që nuk i jep një gjë negative rajonit, përkundrazi i hap një perspektivë për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm.”, - deklaroi eksperti i zonave të mbrojtura, Arian Merolli.
 
“Shumë me rëndësi është menaxhimi i tallave, në disa pjesë tallat janë shumuar mbi 200%, konkretisht e kemi në Liqenin e Strugës në pjesën e plazhit të femrave, ne nuk mund t’i lëmë tallat ta uzurpojnë krejt plazhin e Strugës se aty normal jetojnë dhe fitojnë nga ajo, pastaj kemi pjesën e Podmolit apo pjesa që i përket Komunës së Debërcës, pastaj kemi pjesën e Ohrit, pastaj problem tjetër është menaxhimi i koncesioneve, objektet apo pjesët e liqenit që jepen me koncension duhet të menaxhohen në formë të drejtë apo të mirë, njerëzit që marrin koncesionet duhet t’u përmbahen rregullave që janë të caktuara me ligj dhe e treta është ndërtimi i objekteve turistike dhe private.”, - theksoi eksperti i ekologjisë, Berat Sela.
 
Sela thotë se Ohri qëndron më keq në mospërmbushjen e rekomandimeve të UNESCO-s. Sipas analizave të tyre raporti qëndron diku 10 me 1. 
 
“Në raport më Ohrin edhe Strugën, unë do të kisha thënë se Ohri qëndron shumë më keq. Në bazë të analizave që kemi bërë ne si shoqatë, raporti qëndron diku 10 me 1, nëse në Ohër janë ndërtuar 10 objekte në Strugë është ndërtua 1.”, - u shpreh eksperti i ekologjisë Berat Sela. 
 
Gjithsej janë 19 rekomandime që liqeni i Ohrit ka marrë që kur është regjistruar në Listën e trashëgimisë botërore. Ndërsa, fati i Liqenit të Ohrit do të vendoset në shtator të këtij viti, në mbledhjen e 45 të UNESCO-s në Kinë. 
 
ILMIE ZHAKU