Maqedoni

Eurointegrimi, RMV dhe Serbia, memorandum bashkëpunimi

07.04.2023 15:05

Maqedonia e Veriut dhe Serbia bashkojnë forcat në procesin eurointegrues....

Maqedonia e Veriut dhe Serbia bashkojnë forcat në procesin eurointegrues. Dy qeveritë nënshkruan memorandum bashkëpunimi me optimizmin për anëtarësim të afërt. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, tha se kanë mbështetjen e Brukselit që t’i japin një dinamikë të re bisedimeve me BE-në, duke marrë përvojat serbe, shtet ky i cili më gjatë kohë po negocion me BE-në.
 
“Atë që presim nga BE është një plan i qartë për zgjerimin e Unionit që do të nënkuptonte shtytje për përshpejtim të proceseve të transformimit të shoqërive tona. Dëshmuan se jemi partner kredibil i BE-së dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi detyrave dhe gjithsesi ka radhën Unioni që të jep një afat real kohor për anëtarësim. Të punojmë që në fund të kësaj dekade, me hapjen e parë të dyerve të BE-së, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të jenë në mesin e anëtarëve të reja. Ky është qëllimi ynë dhe ne mund t’ia arrijmë, kuptohet edhe Shqipëria dhe shtetet e tjera në rajon.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Ministrja për eurointegrime në qeverinë e Serbisë, Tanja Mishçeviq, tha se momenti duhet shfrytëzuar duke vënë fokusin në përfshirjen sa më të lartë në tregun evropian, që sipas saj figuron edhe në konceptin Ballkani i Hapur. Anash s’do lihet as thithja e benefiteve nga marrëveshja e stabilzim asociimit.
 
“Procesi duhet të jetë i kapshëm për të gjithë ne si qytetarë. Të gjithë ata që mund të shfrytëzojnë bashkëpunime tejkufitare, projekte të cilat dalin nga një bashkëpunim i tillë, ata që kanë potencial të zhvillohen dhe të tregtojnë me BE-në, ata që përpiqen të avancojnë kapacitete e tyre, njohuri dhe shkathtësi që t’i përgjigjen sfidave botës së IT-së; këtyre çështjeve absolutisht bashkë mund të bisedojmë dhe të përpiqemi të gjejmë përgjigje.”, - deklaroi ministrja për eurointegrime e Serbisë, Tanja Mishçeviq.
 
Sikurse Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Serbia u kritikuan nga BE për përballje të dobët me korrupsionin, si dhe sundimin e së drejtës. Ministrja Mishçeviq thotë se Serbia po punon në përpilimin e një strategjie të re në këtë drejtim që më fuqishëm të përndjek korrupsionin. Edhe zëvendëskryeministri Mariçiq tha se qeveria është e angazhuar që të mbajë sa më lartë interesin drejt integrimit.
 
MERAL ISMAILI