Ekonomi

Be-Greqi, nuk arrihet zgjidhje për krizën

12.02.2015 15:17

Diskutimet shtatëorëshe shënuan një progres, por nuk ishte e mjaftueshme që ministrat e Financave të Bashkimit Evropian...

Diskutimet shtatëorëshe shënuan një progres, por nuk ishte e mjaftueshme që ministrat e Financave të Bashkimit Evropian të gjejnë gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e krizës dhe shtyrjen e programit të shpëtimit.
 
Lideri i Eurogrupit tha se bisedimet me Greqinë do të vazhdonin të hënën, më 16 shkurt, kur Eurogrupi do të mblidhet sërish.
 
“Kemi diskutuar mundësinë e një shtyrje të afateve, që për disa ishte zgjidhja e preferuar, por nuk kemi dalë ende në këtë përfundim. Institucionet e kanë bërë të qartë se janë gati të punojnë me autoritetet greke, por duhet marrëveshja politike në mënyrë që ata të fillojnë punë”- deklaroi lideri i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem. 
 
“Ne u shpjeguam se qytetarët grekë na zgjodhën me qëllim refuzimin e atij programi. Ajo që kërkohet është të ketë një ekuilibër ndërmjet dy parimeve bazë që bien ndesh me njëra-tjetrën”- tha ministri grek i Financave, Janis Varufaqis.
 
Diplomatët e BE-së kishin hartuar një deklaratë të përbashkët për gjetjen e një mënyrë se si Greqia dhe eurozona të vazhdonin marrëdhënien e tyre, por delegacioni grek, pasi u konsultua me Athinën në telefon, nuk pranoi ta firmoste.
 
LEUNORA KALIQI