Maqedoni

Mijallkov, i vjetërsohet lënda për “Titanik 2”

07.04.2023 15:27

Ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, që nga 7 prilli do të jetë i lirë për rastin “Titanik 2”...

Ish-shefit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, që nga 7 prilli do të jetë i lirë për rastin “Titanik 2”, ngase kjo lëndë sipas procedurave juridike është vjetruar, pasi sot ka mbushur 10 vite që kur i akuzuari dyshohej se ka kryer veprën. Rasti “Titanik2” i ngërthente akuzat për parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Gjykatat e vendit të njëjtën lëndë e kanë kthyer dy herë në rigjykim. Edhe pse rasti ishte kryer në vitin 2013, vendimi i parë gjyqësor u mor në vitin 2019, në të cilën Mijallkov u dënua nga Gjykata Themelore me dy vjet burg, por Gjykata e Apelit e ktheu atë në rigjykim.
 
Ndërsa, në gjykimin e përsëritur, një vendim tjetër ishte marrë në janar të këtij viti, por deri më sot çështja nuk ka shkuar në Gjykatën e Apelit që aktgjykimi të marrë formë të prerë. 
 
Në rastin “Titanik 2”, ish-shefi i DSK-së është ndjekur penalisht për ndikim. Ndërsa të akuzuarit e tjerë ndiqen për shkelje të së drejtës së votës, përfshi liderin e PDSh-së, Menduh Thaçi dhe ish-anëtarët e KShZ-së: Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vlatko Sajkovski, si dhe Sasho Srcev. Kjo është lënda e dytë e vjetruar për Mijallkovin, i cili është ndjekur penalisht edhe në rastin “Target”, që i referohet përgjimit masiv dhe shkatërrimit të pajisjeve të monitorimit të komunikimeve masive. Mijallkov tani akuzohet për dy lëndë tjera, bashkim kriminal dhe keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare. I vetmi dënim me burg për momentin, Mijalkov e ka në rastin “Perandoria” dhe vuan dënimin me burg në burgun e Strugës, i cili është i tipit të hapur, gjegjësisht të dënuarit atje kanë të drejtë të shkojnë në punë, të shfrytëzojnë fundjavat dhe festat vjetore.
 
FITIM KRYEZIU