Maqedoni

Ngrirja e çmimeve, qytetarët: Çmimet vazhdojnë të jenë të larta

07.04.2023 16:33

Në disa markete vërehet mungesë e produkteve ushqimore dhe mjeteve higjienike....

Në disa markete vërehet mungesë e produkteve ushqimore dhe mjeteve higjienike. Shitësit thonë se kjo është shkaktuar nga blerja e shtuar për shkak të dy festave fetare gjatë këtij muaji. Megjithatë, sipas tyre furnizimi është i rregullt dhe produktet në markete nuk do të mungojnë.
 
Qytetarët vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta. Ata thonë se asgjë nuk vërejnë ndryshim në buxhetin e tyre, nëse  janë liruar nga pak pemët dhe perimet. Theksojnë se duhet më tepër të ulen çmimet, si tek mishi, djathi, kaçkavalli dhe produktet tjera.
 
“70 denarë bananet, por edhe më herët kanë qenë 70, tjerat siç kanë qenë. 1 kg kaçkavall 600 denarë, 1 kg mish 1 mijë denarë, qumështi njëjtë, djathi njëjtë, vetëm vajin pak më shumë e kanë liruar.”, - tha një qytetar.
 
“Shtrenjtë janë.”, - tha një qytetare.
 
“Pak më lirë janë, por do të rriten prapë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Nuk janë ulur  çmimet sikur qysh thonë se duhet të ulen, një e dy denarë lirim asgjë nuk është, produkte ka, por nuk ka para.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
 
“Asgjë nuk ka ndryshuar, nuk shohim asgjë dallim, gjithçka është më shtrenjtë, ndërsa duhet të jetojmë të hamë.”, - theksoi një qytetar.
 
“Çmimet shumë lartë. Jo, jo, nuk ka lirim.”, - tha një qytetar tjetër. 
 
Nga shoqatat e konsumatorëve bëjnë thirrje që këto masa për ngrirjen e çmimeve të vazhdohen edhe pas skadimit të vendimeve të qeverisë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI