Maqedoni

Grupi punues për ndryshimet kushtetuese, Mariçiq: Të përfshihen të gjitha partitë

07.04.2023 17:17

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, u bëri thirrje partive politike...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, u bëri thirrje partive politike që të propozojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshime kushtetuese, për të cilat afati i dhënë nga Ministria e Drejtësisë skadon të hënën.
 
Nuk shoh asnjë arsye që asnjë palë të refuzojë të marrë pjesë në atë proces, tha Mariçiq, i cili shtoi se është logjike që në vend të konferencave për media, partitë politike qëndrimet e tyre t’i shprehin në këtë grup punues.
 
“Mendoj se është shumë më praktike, më e përgjegjshme dhe më e mirë për shtetin dhe qytetarët që të marrin pjesë të gjitha partitë politike, të mos kenë frikë dhe të marrin pjesë. Meqenëse i kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre, le t'i përballojmë në grupin punues dhe të shohim nëse mund të arrijmë në një zgjidhje të përbashkët, zgjidhjen më të mirë dhe të ndërtojmë një model maqedonas për inkorporimin e këtyre tri komuniteteve që janë të interesuara të hyjnë në preambulën e Kushtetutë. Besoj se në këtë mënyrë procesi do të ç’mitizohet më shumë sesa nëse e mbajmë në nivelin e deklaratave të përditshme dhe të përleshjeve politike.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Bojan Mariqiq. 
 
Lëvizja “Besa”: Nuk jemi ftuar zyrtarisht në grupin punues
 
Në ndërkohë, partitë opozitare janë të rezervuara në këtë drejtim. Nga Lëvizja “Besa” thonë se ende nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në këtë grup. 
 
“Deri në këtë moment, Lëvizja “Besa” zyrtarisht ende nuk ka pranuar ftesë për t’u bërë pjesë e grupeve punuese. Normalisht se si parti serioze ne kemi qenë edhe propozues të amendamenteve për ndryshime kushtetuese, ku e autorizuam qeverinë, gjegjësisht ministrin e drejtësisë që ta merr përsipër dhe ta propozon si përfaqësues i autorizuar. Por, ende zyrtarisht nuk kemi marrë ftesë. Në momentin kur do ta kemi ftesën konkrete, normalisht se do të përgjigjemi pozitivisht dhe do ta delegojmë përfaqësuesin tonë.”, - theksoi zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Faruk Avdiu. 
 
Nga Alernativa thanë se qëndrimin e tyre në lidhje me këtë çështje do ta shprehin të shtunën nëpërmjet një press-konference. VMRO-DPMNE vazhdon të mbetet në qëndrimin se nuk do të marrin pjesë në grupin e punës në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Pjesë e grupeve punuese kanë konfirmuar se do të jenë partitë politike në pushtet si LSDM, BDI dhe ASh. 
 
ERSAN PAJAZITI