Botë

Minsk, arrihet marrëveshje e re për armëpushim

12.02.2015 15:26

Pas një maratone të gjatë bisedimesh të zhvilluara gjatë gjithë natës, u mbyll samiti për Ukrainën mes udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës...

Pas një maratone të gjatë bisedimesh të zhvilluara gjatë gjithë natës, u mbyll samiti për Ukrainën mes udhëheqësve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, në përpjekje për të arritur deri te një marrëveshje e cila do t’i jepte fund konfliktit në lindje të Ukrainës. 
 
Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi pas takimit se palët e konfliktit kanë rënë dakord për një armëpushim. Këtë e konfirmuan më vonë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande.
 
“Ne të gjithë presim që të gjitha palët të përmbahen në të ardhmen e afërt deri në armëpushim të plotë, gjithashtu bëjmë apel për të dyja palët të ndalin gjakderdhjen dhe të fillojnë një proces të vërtetë politik pa dhunë”- deklaroi kryetari i Rusisë, Vladimir Putin.
 
"Krahas presionit të fortë, ne nuk u dakorduam për një status autonomik. Kemi vërejtje në kuadër të ndryshimeve kushtetuese që kanë për qëllim decentralizimin që lidhet me të gjithë vendin. Ne nuk jemi dakord edhe për çdo lloj përmendje të vetme të federalizimit”- tha kryetari i Ukrainës, Petro Poroshenko.
 
“Kancelarja dhe unë jemi dakorduar me z.Poroshenko dhe z. Putin të verifikojnë zbatimin e procesit për zgjidhjen e politikës globale. Unë dua që përpjekjet e mëdha të bëra në këto orë të gjata të tregojnë rezultatet e tyre ku Poroshenko do të bëjë përpjekje për zgjidhjen e konfliktit në vendin e tij dhe Putin do të vendos presion sa më shumë që mundet mbi separatistët”- u shpreh kryetari i Francës, Francois Hollande.
 
Pritet që presidenti i Francës, Hollande dhe kancelarja gjermane, Merkel, përshtypjet e tyre nga bisedimet e zhvilluara gjatë natës me Putinin dhe Poroshenkon t'ua komunikojnë në samitin e Brukselit krerëve të vendeve të BE-së.
 
Nëse konfirmohet skepticizmi që as Minsk II nuk nënkupton fundin e gjakderdhjes, atëherë s'mund të përjashtohet që, pavarësisht bisedimeve të gjata diplomatike, sërish do të diskutohet për sanksione të mëtejshme apo edhe për furnizime me armë në Ukrainë. 
 
LEUNORA KALIQI