Botë

Vuçiq, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet e 23 prillit

07.04.2023 18:23

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës...

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, ka deklaruar se pas një jave do të dalë me “konkluzionet e përbashkëta” në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës dhe “të gjitha ngjarjet e ardhshme”.
 
Vuçiq ka përsëritur se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
 
Presidenti i Serbisë nuk dha detaje nga takimi, duke thënë se konsultimet e radhës të ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të mbahen në Rashkë, në jug të Serbisë dhe më pas do të dalin me “platformë të përbashkët”.
 
Siç tha ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë. Vuçiq nuk ka saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.