Fakulteti i artit dramatik në Shkup, Besfort Idrizi, dekani i parë shqiptar
Në historinë 54 vjeçare të Fakultetit të Artit Dramatik në Shkup...
Në historinë 54 vjeçare të Fakultetit të Artit Dramatik në Shkup, për herë të parë u emërua një dekan shqiptar. Aktori dhe regjisori Besfort Idrizi, dikur student në po këtë fakultet, në intervistë për emisionin “Motiv”, shpalos dy pikat kryesore të programit të tij si Dekan.
Duke theksuar se programet studimore janë kryesisht të lidhura me zhvillimet e shekullit 20 të teatrit dhe se janë lënë anash zhvillimet e fundit të shekullit 21 dhe tendencat e reja, synimi kryesor është modernizimi dhe përditësimi i programeve studimore.
“Kryefjalë janë modernizimi i fakultetit dhe hapja e fakultetit. Modernizim, kryesisht në sens të programeve studimore, akreditimi dhe riakreditimi i programeve të reja dhe hapja kryesisht në sens të bashkëpunimit, qoftë atij bashkëpunim këtu nacional apo internacional.”, - deklaroi dekani në Fakultetin e Artit Dramatik, Besfort Idrizi.
Për të avancuar përgatitjen profesionale të studentëve, nga ky program, për rëndësinë e veçantë theksohet dhe firmosja e memorandumeve për bashkëpunim mes Fakultetit të Artit Dramatik dhe teatrove në vend.
Sipas Idrizit janë nënshkruar memorandume me të gjitha teatrot në Shkup dhe e njëjta vazhdon të bëhet edhe me teatrot jashtë Shkupit. Mes tjerash parashihet që të organizohen simpoziume, seminare dhe punëtori mes Fakultetit të Artit Dramatik dhe institucioneve të kulturës.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni të shtunën në ora 20:00. (Arlinda Baftiu, TVM2)