Kumanovë, nxënësit me nevoja të posaçme të mirëpritur

09.04.2023 15:34

Gjatë këtij viti shkollor....

Gjatë këtij viti shkollor, në  shkollën fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë mësimin po e përcjellin gjithësej 1.184 nxënës të shpërndarë në 55 paralele.

Kjo është një ndër shkollat e para në RMV, e cila i kushton rëndësi fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ky kujdes i shtuar ka filluar të shfaqet qysh para 7 viteve  me ndihmën e USAID-it, organizatave të tjera si dhe Komunës së Kumanovës.

Falë këtyre angazhimeve sot kemi një mirëkuptim dhe qasje të mirë ndaj nxënësve me nevoja të veçanta, si nga drejtoria poashtu edhe nga arsimtarët por edhe prindërit e nxënësve.

“Posedojmë nxënës me nevoja të veçanta arsimore ku të gjithë ne jemi të angazhuar duke filluar nga unë si drejtor, stafit të shkollës, defektolog, pedagog e psikolog, si dhe nga ana tjetër kemi ekipin inkluziv, i cili bashkëpunon me defektologun për mirëmbajtjen e poçesit mësimorë të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore. Për këtë vit shkollor kemi një numër të konsiderueshëm të nxënësve, ku në numër janë 6 dhe për gjithë këta nxënës në shkollën tonë kemi edhe 6 asistentë, të cilët përkujdesen për mirëmbajtjen e procesit edukativo arsimorë të këtyre nxënësve” – tha Drejtori i SH.F “Naim Frashëri”, Muhamed Zeqiri.

Mësimdhënia në klasa me fëmijë me nevoja të posaçme kërkon kushte të posaçme dhe angazhim më të madh edhe të kuadrit specifik siç është logopedi, psikologu dhe pedagogu.

Shkëndije Xhaladini, mësimdhënëse në këtë shkollë thotë se ka përkrahjen e duhur edhe të prindërve por edhe mirëkutimin e nxënësve të tjerë.

“Në klasën time kemi nxënës që janë me nevoja dhe vështirësi në mësime dhe ju siguroj se asnjëherë nuk ka qenë pengesë, si nga ana ime, nga nxënësit por, edhe nga ana e prindërve. Nxënësi është i adaptuar dhe socializuar aq mirë në klasë ku ka ndihmën time, asistentes por, edhe të bashkëmoshatarëve apo shokëve të klasës” – u shpreh mësimdhënësja në SH.F “Naim Frashëri”.

Drejtori Muhamed Zeqiri, gjithashtu na njohtoi se kjo shkollë ka patur donacion nga SHBA në vlerë prej 10 mijë dollarë, si dhe kontratë me një shoqatë nga Austria të cilët, i janë përkushtuar kësaj kategorie të fëmijëve, dhe falë angazhimit kolektiv dhe bashkëpunim të prindërve është bërë edhe kabineti për këta nxënës.

Drejtori Muhamed Zeqiri, gjithashtu u bëri thirrje të gjithë prindërve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta, që mos të ngurrojnë por se dyert e shkollës fillore “Naim Frashëri” janë gjithmonë të hapura.(Fatlum Aqifi, TVM2)