Vetingu në gjyqësor, Saiti: Nuk ka nevojë për një proces të tillë
Shoqata e Gjykatësve në RMV...

Shoqata e Gjykatësve në RMV nuk e sheh të nevojshëm dhe të dobishëm aplikimin e procesit të vetingut në gjyqësor që u paralajmërua nga Minsitri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Edhe pse procesi i vetingut ka për qëllim të sigurojë profesionalizim dhe integritet tek gjykatësit dhe prokurorët, duke synuar largimin nga sistemi i të gjithë atyre që nuk justifikojnë pasurinë, që kanë lidhje me krimin ose që nuk kanë aftësitë e duhura profesionale, nga Shoqata e Gjykatësve vlerësojnë se ka mekanizma të tjerë për të penguar këtë dukuri.
“Ne kishim një konkulzion që miratuam në vitin 2018 të gjykatësve në Ohër dhe ai qëndrim u bë zyrtar në lidhje me këtë çështje që e parashtron ministri. Ky qëndrim u përkrah edhe nga faktori ndërkombëtarë. Mund të shikohet puna e gjykatësve nëpërmjet institucioneve siç janë Këshilli Gjyqësor dhe KShPK dhe, nuk ka nevojë për një proces të tillë. Nëse e shikoni raportin e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë mbas procesit të vetingut, keni një pozicion shumë të dobët të gjyqsorit, dmth nuk u arrit asgjë... Analizë permanente e punës së gjykatësve dhe kontroll i punës së tyre. Çdo gjykatës ka dobësitë e tij dhe, në çdo momen duhet të jetë në procedurë të verifikimit të punës së tij.’’ – tha Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.
Vetingu në gjyqësor,Ademi: Vetingu i realizueshëm dhe i nevojshëm
Ndërkohë, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi mbështet nevojën për një proces të vetingut. Sqaron se ky është qëndrim personal dhe jo i gjithë Këshillit Gjyqësor. Mbështet qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga që, ndërkombëtarët të jenë mbikqyrës të procesit.
“Çdo herë para deklaratës së ministrit unë kam vlerësuar se gjyqësorit i duhet një veting dhe mendoj se është i realizueshëm dhe mund të bëhet. Kemi pasur mendime të ndryshme me antarë të Këshillit Gjyqësor, por unë çdoherë kam thënë edhe para deklaratës së Ministrit se RMV-së i duhet një veting gjyqësor.” – u shpreh Nënkryetarja e Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
Aktualizimi i procesit të vetingut në gjyqësor vjen pas kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut, në veçanti në gjyqësor, si dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
