Maqedoni
“Besa”: LSDM t’i publikojë të gjitha materialet
12.02.2015 16:16
Lëvizja “Besa” ka ftuar liderin e Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev, që t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e institucioneve...

Lëvizja “Besa” ka ftuar liderin e Lidhjes Socialdemokrate, Zoran Zaev, që t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e institucioneve, përfshirë edhe ato që prekin marrëdhëniet midis komuniteteve më të mëdha në vend.
“Besa”, në një konferencë për media njoftoi se çfarëdo lloj kalkulimi apo pazari për të mos i publikuar nuk mund të jenë në favor të stabilitetit, sidomos të marrëdhënieve ndëretnike.
“I bëjmë thirrje z.Zaevit, ose cilitdo politikan tjetër që pretendon se ka të dhëna të këtilla, që ato t’i publikojë detyrimisht. Ne shqiptarët kemi të drejtë ta dimë se kush dhe çfarë ka bërë në dëmin tonë, kushdo qoftë ai. Pikërisht mospublikimi i të dhënave e shton mundësinë që ky vend të destabilizohet dhe të rritet doza e mosbesimit mes komuniteteve, por edhe ndaj institucioneve”- deklaroi Bilall Kasami nga Lëvizja “Besa”.
Lëvizja “Besa” konsideron se nuk ka çmim që mund ta arsyetojë ndonjë lloj krimi të shkaktuar ndaj qytetarëve.
Për këtë qëllim, tha Billal Kasami, “Besa” ka ngritur iniciativën për organizimin e platformës “Edhe shqiptarët pa hipoteka”, duke ftuar kështu të gjitha subjektet politike, komunitetin akademik dhe grupet e tjera shoqërore që t’i bashkëngjiten në publikimin e të dhënave që posedon kreu i LSDM-së, Zoran Zaev.
NAIM RAMADANI
