Fatmir Besimi: Korridori 8 shtytës i rritjes ekonomike
Ndërtimi i katër autostradave të reja...

Ndërtimi i katër autostradave të reja në Korridorin VIII dhe Korridorin X shënoi fillimin e ofensivës më të madhe ndërtimore në historinë e RMV. Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin e 110 kilometrave rrugë të reja moderne me gjashtë korsi, në drejtimin Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan, Trebenishtë - Strugë - Qafë Thanë dhe Prilep - Manastir, ka një rëndësi të madhe ekonomike dhe gjeopolitike për vendin tonë dhe rajonin, - shkruan ministri i Financave Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.
“Do të ketë përfitime edhe për popullatën. Një nga përfitimet më të rëndësishme janë vendet e reja të punës. Angazhimi i nënkontraktuesve vendas dhe fuqisë punëtore vendase do të ketë ndikim pozitiv në tregun e punës në vend, me ç’rast do të ulet shkalla e papunësisë. Vlerësimet tregojnë se rreth 3.000 punëtorë nga industria e ndërtimit do të angazhohen drejtpërdrejt për ndërtimin e autostradave, si dhe mbi 5.000 punëtorë do të angazhohen në mënyrë indirekte nga industri të tjera. Këto janë gjithsej rreth 8.000 vende pune, si rezultat i efektit të përgjithshëm të katër autostradave të reja në korridoret VIII dhe X-d”,- shkruan Besimi.
Investimi total në këto autostrada është i madh dhe arrin në nivelin 1.3 miliardë euro, i cili së bashku me investimin përkatës do të arrijë në nivelin 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit tonë.
Ndërtimi i korridoreve VIII dhe X pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare dhe ekonomike për vendin, ekonominë dhe popullsinë.
Përmirësimi i infrastrukturës do të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, do të rrisë efikasitetin e tregtisë dhe do të ndihmojë në zhvillimin e ndryshimeve ekonomike dhe sociale në këtë rajon. (Sedat Selimi, TVM2)
