Maqedoni

Vizita e Gojkoviqit, bashkëpunimi rajonal për integrim të shpejtë në BE

12.02.2015 16:29

Maqedonia përshëndet vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, duke e cilësuar dialogun si akt në favor të stabilitetit në rajon...

Kreu i Kuvendit, Trajko Veljanovski, shpreh keqardhje që një gjë e tillë nuk po ndodh mes Shkupit dhe Athinës për tejkalimin e kontestit rreth emrit.
 
Gjatë pritjes së homologes së tij serbe, Maja Gojkoviq, dy kryeparlamentarët kanë konstatuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin bashkëpunimin mes veti në të gjitha sferat, për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të shkurtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.  
 
“Pikërisht për këtë qëllim, në takimin e sotëm e përshëndeta vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, që po mbahet në Bruksel, nën patronatin e BE-së dhe komisarit për Politikë të Jashtme, znj. Mogerini. Dialog, i cili gjithsesi ndikon në stabilitetin e rajonit”- tha kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.
 
“Të përcjellim mesazhin se ne jemi një hapësirë e cila mund të jetë politikisht dhe ekonomikisht e qëndrueshme dhe se Evropa në një kohë të afërt mund të mendojë lirshëm se kjo hapësirë i mungon Evropës që të jetë e plotë”- deklaroi kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq.
 
Veljanovski dhe Gojkoviq konstatuan edhe një herë se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura.
 
Sipas tyre, çështja e hapur mes kishave të vendeve përkatëse nuk është çështje politike, por që tërthorazi mund të ketë ndikim në marrëdhëniet e përgjithshme, prandaj inkurajojnë palët që përmes dialogut të zgjidhin këtë kontest.     
 
SHPËTIM NUREDINI