Ndryshimet në 9 ligjet për autostradat, kundër opozita maqedone dhe disa shoqata
Ndryshimet dhe plotësimet e nëntë ligjeve....

Ndryshimet dhe plotësimet e nëntë ligjeve lidhur me autostradat që duhet t’i ndërtojë konsorciumi turko-amerikan “Behtel dhe Enka“ janë në rend dite të mbledhjes së sotme të 112-të në Kuvend.
Të gjitha ligjet janë në procedurë të shkurtuar, ndërsa propozues janë një grup deputetësh nga shumica qeveritare. VMRO-DPMNE dhe e Majta janë shprehur kundër këtyre ndryshimeve, duke theksuar kërkesën për tërheqjen e ligjeve nga procedura parlamentare.
Si pikë e fundit e rendit të ditës janë ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partneritetit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 akset: Tetovë-Gostivar-Bukojçani dhe projekti për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Korridori 10-D akset në autostradën Prilep-Manastir në procedurë të shkurtuar. Përveç VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës, tërheqjen e ligjeve e ka kërkuar edhe Komisioni për Antikorrupsion dhe shoqata e arkeologëve.
