Maqedoni
Aksident në Itali, MPJ: Humbën jetën 3 shtetas të RMV-së
10.04.2023 12:57
Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar se në aksidentin e mbrëmshëm rrugorë në Itali ku humbën jetën 4 persona....

Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar se në aksidentin e mbrëmshëm rrugorë në Itali ku humbën jetën 4 persona, tre prej tyre janë shtetas të RMV-së. Bëhet fjalë për Z.S (33), A.K (31) dhe V.I (30). Shkaqet e aksidentit po hetohen nga organet kompetente italiane, megjithatë sipas asaj që raportohet në media, bëhet fjalë për përplasje direkte mes dy makinave. 23-vjeçari nga Asti ishte i vetëm në makinën e tij, ndërsa 3 shtetasit e RMV-së, ndodheshin në auto-mjetin tjetër. Aksidenti ndodhi pak pas orës 22:00, ndërsa raportohet se gjithë asfalti i rrugës provinciale ishte mbuluar me xhama të thyer dhe pjesë makinash, çka tregonte forcën e përplasjes.
“Ju informojmë se mbrëmë, në qytetin Nica Monferrato, në provincën italiane të Astit, pjesë e rajonit Piemonte, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale për katër pjesëmarrësit, tre prej të cilëve është konstatuar se janë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ambasada në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Venecie janë në kontakt të drejtpërdrejtë me institucionet kompetente të Italisë, nga ku është marrë konfirmimi verbal për shtetasit tanë të ndjerë, si dhe për të dhënat e tyre. Bëhet fjalë për Z.S. – 33 vjeç nga Makedonska Kamenica, A.K. – 31 vjeç nga fshati Sasa, si dhe V.I. – 30 vjeç nga fshati Peklani, Vinicë.”, - njoftojnë nga MPJ.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se përfaqësues të Konsullatës dhe Ambasadës së RMV-së në Itali, janë tashmë në kontakt me familjet e të ndjerëve dhe do të jenë në dispozicion për ndihmë në lidhje me transportin e trupave nga Italia. “Edhe pse komunikimi me shërbimet italiane është ngadalësuar për shkak të festave të Pashkëve, misionet tona diplomatike mbeten në komunikim për të mbledhur informacion shtesë për detajet e aksidentit rrugor, të dhëna për të ndjerët, si dhe në sigurimin e një konfirmimi me shkrim për të gjitha detajet e aksidentit.”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
FLORIJE BELULI KAMBERI
