Maqedoni
Bejli: situata politike në Maqedoni është e ndjeshme
12.02.2015 17:28
Ambasadori i porsaemëruar i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli, i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Shtetit, Gjorge Ivanov...

Ambasadori Bejli ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të SHBA-ve me Maqedoninë për integrimin e vendit në BE dhe NATO.
“Jam i lumtur që do të punoj me ju, me qeverinë dhe popullin në Maqedoni për vazhdimin e partneritetit tonë tradicional. Në 20 vitet e fundit kaluam kohëra të vështira, por punuam së bashku dhe arritëm shumë në ndërtimin e një Evrope të lirë dhe në paqe, por edhe Maqedoninë ta shohim plotësisht të integruar në NATO dhe BE”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
SHBA-të, sipas presidentit të Shtetit, Gjorge Ivanov, paraqesin një nga partnerët më të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë në realizimin e politikave të jashtme.
“Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe integrimi në BE ka një fuqi të madhe kohezive në shoqërinë tonë. Jam i bindur se kjo nuk është vetëm në dobinë tonë, por padyshim do të ndikojë pozitivisht edhe në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë drejtim ne shpresojmë dhe presim mbështetje më të madhe nga SHBA-të”- tha presidenti, Gjorge Ivanov.
Sa i takon situatës së brendshme politike në vend, ambasadori Bejli tha se SHBA-të presin hetim të hapur dhe transparent.
“Kjo është një situatë e ndjeshme politike. Në vazhdë është hetimi i cili do të duhet të realizohet në mënyrë të hapur dhe transparente, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit dhe rolin e mediave”- u shpreh ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
Senati amerikan nga dhjetori i 2014-ës kishte vendosur emërimin e Xhes Bejlit për ambasador në Shkup, ndërsa ai paraprakisht kishte ushtruar detyrën e zëvendësshefit të misionit të SHBA-ve në Ankara të Turqisë.
MERAL ISMAILI
