Maqedoni
Kuvend, miratohen ndryshimet ligjore për autostradat
10.04.2023 14:52
Kuvendi votoi 8 propozim ndryshimet-ligjore, me të cilat duhet të lehtësohet ndërtimi i autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D...

Kuvendi votoi 8 propozim ndryshimet-ligjore, me të cilat duhet të lehtësohet ndërtimi i autostradave të Korridorit 8 dhe 10-D. Në elaborimin e propozim-ligjeve, deputeti i BDI-së Arbër Ademi, kërkoi që të votohen në procedurë të shkurtuar, sepse këto ligje se janë të një rëndësie të veçantë strategjike.
“Konkretisht, duke pasur parasysh se procedura për kthimin e përhershëm të tokës bujqësore është procedurë e cila mund të jetë afatgjate, me këtë plotësim mundësohet që procedura e kthimit për nevojat e ndërtimeve me interes strategjik të shtetit të parapara për ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e korridorit infrastrukturor 8, seksioni Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenisht-Strugë-Qafë-Thanë dhe korridori 10 Prile-Manastir, të realizohet me kohë dhe me efikasitet.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Miratimi i ligjeve me procedurë të shkurtuar që kishin të bëjnë me Korridorin 8 dhe 10-D, ngjalli reagime te deputetët opozitar të cilët lëshuan sallën. Nga VMRO-DPMNE thanë se qeveria pa konsultuar opinionin e gjerë dhe pa marrë parasysh vërejtjet po tenton që në mënyrë të shpejtë të miratojë ligje.
“Nëse projekti tashmë është projekti më i madh që po realizohet në vendin tonë, ministrat e Qeverisë duhet të ishin ulur këtu, të merrnin përgjegjësi dhe të mos fshiheshin pas shumicës në këtë Kuvend. Dhe nëse duam që ky vend të zhvillohet më shpejt, duam që ky projekt të ketë sukses, por duam që të ketë sukses në mënyrë publike, transparente dhe jo që ligjet të dalin të premten dhe të caktohen seanca të hënën. Dhe nuk duhet që ju t'i firmosni, le të vijë ministri i kulturës, bujqësisë, transportit, financave dhe të qëndrojë pas shpronësimeve, pas pyjeve, pas trashëgimisë kulturore dhe të mbrojë atë që po bën.”, - theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Pretendimet e tilla të VMRO-DPMNE-së nga LSDM i quajnë si tentim për t’u njollosur edhe projekti infrastrukturor më i madh i vendit në 70 vitet e fundit.
“As nuk ikim nga debati, as nuk duam që diçka të kalohet me nxitim. Ne shohim vetëm problemet që po ndodhnin në teren, duke pasur parasysh objektet e mëparshme infrastrukturore që po ndërtohen në të gjithë vendin dhe problemet që janë shkaktuar në këto projekte.”, - u shpreh Jovan Mitrevski nga LSDM.
Pas votimit për nevojën e kalimit të këtyre ligjeve me procedurë urgjente, do të formohen komisione, ku pason debati atje, që më pas kthehen për të votuar në sallën plenare. Paraprakisht nga rendi i ditës u tërhoq Ligji për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, që ishte kërkesë e shoqatës së arkeologëve. Autostradat kapin vlerën 1.3 miliardë euro dhe do të ndërtohen nga “Bechtel dhe Enka”.
ERSAN PAJAZITI
