Maqedoni
Ligjet për autostradat, Pendarovski: Të mos shkelen të drejtat e qytetarëve
10.04.2023 15:06
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski thotë se nëse ligjet për ndërtimin e korridoreve infrastrukturore Korridori 8 dhe Korridori 10-D...

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski thotë se nëse ligjet për ndërtimin e korridoreve infrastrukturore Korridori 8 dhe Korridori 10-D, i shkelin të drejtat e qytetarëve, ato nuk do të nënshkruhen nga ana e presidentit. Por, Pendarovski thotë se nuk mundet paraprakisht të dihet në çfarë versioni përfundimtar do të jenë zgjidhje ligjore të nëntë ligjeve, pa të cilat nuk mund të ndërtohen korridoret në fjalë.
“Ta presim debatin, ta shohim përmbajtjen përfundimtare të atyre ligjeve, ekipi im i juristëve edhe në Kabinet edhe jashtë tij tashmë janë të angazhuar në ndjekjen e debatit dhe në atë që do të dalë si produkt përfundimtar. Në lidhje me procedurën mendoj se edhe pse shkojnë me procedurë të shkurtër, nuk janë me flamur evropian dhe do të ketë mjaftueshëm kohë edhe për opozitën që të parashtrojë amendamente, të përfshihet në debat dhe të ketë debat të argumentuar, siç i ka hije këtij grupi të rëndësishëm të ligjeve.”, - deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
“Pakoja e ligjeve është e domosdoshme për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10-D.”, thotë kryeministri.
“Kryerësi dhe projektuesi i punimeve “Bektel-Enka” kompani me renome botërore janë përzgjedhur me ligj special në Kuvend, të cilin e përkrahën të gjithë. Këto ligje praktikisht paraqesin harmonizim të një pjese të rregullativës ligjore, me qëllim që projekti të mund të përfundojë në afatin e paraparë, brenda 5 vitesh dhe në mënyrë ligjore.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Me këto ndryshime ligjore konzorciumi amerikan do të lirohet nga pagesa e TVSh-së dhe do t’i kthehet edhe akciza e energjensave.
GYLTENE SINANI
