Maqedoni

Inspektorati i tregut: Po kontrollohen importuesit e pemëve dhe perimeve

10.04.2023 15:23

Inspektorët e inspektoratit të tregut kanë kryer mbi 30 kontrolle te importuesit e pemëve dhe perimeve...

Inspektorët e inspektoratit të tregut kanë kryer mbi 30 kontrolle te importuesit e pemëve dhe perimeve. Ata kanë konstatuar se ka sasi të mjaftueshme të pemëve dhe perimeve, por ato nuk janë lëshuar qëllimisht në treg pas ngrirjes së çmimeve nga ana e Qeverisë. 
 
“Inspektorët do të vazhdojnë kontrollet dhe të gjithë ata që nuk do të nxjerrin në treg prodhimet në përputhje me vendimin e qeverisë, do të sanksionohen.”, - thanë nga Inspektorati i tregut.
 
Bytyqi: Dënime për ata që nuk respektojnë vendimin
 
Secili që e shkel ligjin do të dënohet me gjobë apo padi penale, thotë zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi. 
 
“Nëse konstatohet se ky fenomen është i pranishëm jo vetëm në tregun me shumicë, por gjithkund në vend, në periudhë më të gjatë, institucionet mund të kthehen me kontrollet aq sa është e nevojshme.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
VMRO-DPMNE: Masat e qeverisë nuk po japin rezultate
 
Ndërkohë, sipas partisë opzitare VMRO-DPMNE, masat e qeverisë muajin e kaluar nuk kishin kurrfarë efekti për shkak të inflacionit. 
 
“Është e dukshme se gjithçka që bëjnë Kovaçevski, Bytyqi dhe Bekteshi është vetëm popullizëm mediatik, për çka qytetarët e dinë se nuk ka kurrfarë lidhjesh me realitetin.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Inspektorati i tregut gjatë vikendit ka kontrolluar tregjet me shumicë në Shkup, Strumicë dhe Dibër dhe ditëve në vijim do të njoftohet nëse po respektohet ligji nga ana e importuesve.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI