Maqedoni
Ekspertizë e huaj për përgjimet, Zaev në linjë të njëjtë me BDI-në dhe PDSH-në
12.02.2015 17:31
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pranon propozimet e partive shqiptare, BDI dhe PDSH, për ekspertizë të huaj për rastet e përgjimit...
Në një intervistë për televizionin “24 Vesti”, Zaev pranon domosdoshmërinë për përfshirjen e ndërkombëtarëve, pasi, sipas tij, në vend nuk ka institucione që do të mund ta shqyrtonin rastin në mënyrë të pavarur, pa presion të qeverisë.
“Unë nuk mund të them se besoj në gjyqësorin dhe prokurorinë, unë jam njëri prej qytetarëve pak më shumë i informuar se të tjerët. Lidhja në mes MPB-së dhe gjyqit dhe prokurorisë funksionon pandërprerë, për këtë që them kam dëshmi shtesë, prandaj edhe nuk u besoj vendimeve të tyre. Prandaj, unë them që përfshirja e ndërkombëtarëve do të jetë e nevojshme. Mirë është që edhe partneri në qeveri, Ahmeti, bën thirrje për ekspertizë të huaj”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Gjithsesi, Zaev thotë se materiali që do të publikohet do të jetë vetëm ai që ka të bëjë me kriminalitet dhe korrupsion e jo me jetën private të njerëzve.
“Të gjithë materialin do t’ua japim njerëzve të cilët janë përgjuar. Ai që ka të bëjë me kriminalitet do të publikohet, të tjerat do të shkatërrohen publikisht”- u shpreh Zaev.
Sa për akuzat se ai është vënë në shërbim të shërbimeve të huaja të zbulimit, Zaev potencoi se “bombat” e LSDM-së nuk përmbajnë vetëm incizime të bisedave, por edhe dokumente që paraqesin urdhra për përcjellje të personave dhe me këtë dëshmohet se përgjimet nuk i ka bërë ndonjë shërbim i huaj, por shërbimet vendase.
Ende nuk dihet kur do të bëhet publike “bomba” e radhës e LSDM-së, por Zaev është i vendosur të publikojë të gjitha dëshmitë, që thotë se ka dëshmi edhe për korrupsionin dhe kriminalitetin qeveritar.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
