Maqedoni

Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese, partitë dhe institucionet caktojnë përfaqësuesit

10.04.2023 15:49

Në ditën e fundit të afatit që partitë politike të emërojnë përfaqësuesit në grupin e punës për ndryshimet në Kushtetutë...

Në ditën e fundit të afatit që partitë politike të emërojnë përfaqësuesit në grupin e punës për ndryshimet në Kushtetutë, partitë politike filluan t’i publikojnë emrat e përfaqësueseve të tyre. LSDM njoftoi se në grupin punues do të përfaqësohen nga Cvetanka Ivanova, sekretare aktuale e përgjithshme e Kuvendit. BDI e ka ngarkuar koordinatorin e grupit parlamentar, Arbër Ademi, ndërsa deputeti Remzi Mehmedi, do të përfaqëson vullnetin e Aleancës për Shqiptarët. Është përgjegjësi e çdo partie politike që të mbështesin vendimet strategjike të shtetit e jo të jenë shkas për beteja ditore politike, thonë nga LSDM.
 
“LSDM-ja propozoi Cvetanka Ivanovën për përfaqësuese në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës. LSDM do të marrë pjesë aktive në trupën eksperte të krijuar nga Ministria e Drejtësisë. Është përgjegjësi, sepse është një proces nga i cili varet anëtarësimi në BE, si interes suprem kombëtar dhe shtetëror.”, - deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
 
Sekretariati për Çështje Evropiane do të përfaqësohet nga Dragan Tilev, këshilltar në sekretariat, ndërsa përfaqësuesin e saj do ta ketë edhe Ministria e Punë të Jashtme. Grupi i punës duhet të ketë nga gjashtë deri në tetë ekspertë.
 
Opozita, me përjashtim të Besës, nuk pranon të marrë pjesë në këtë grup për ndryshimet kushtetuese. Ashtu siç kanë paralajmëruar, VMRO- DPMNE thotë se nuk do t’u nënshtrohet presioneve dhe se ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare nuk do të ketë. Edhe Alternativa, e Majta, Partia Socialiste dhe Bashkimi Demokratik bënë të ditur se nuk do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në grupin punues për ndryshime kushtetuese.
 
Kryeministri Kovaçevski, thotë se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë peng i një njeriu, kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski. Megjithatë ishte e pritshme se cilat parti do të jenë pjesë e këtij procesi, ka thënë kryeministri. 
 
“Pasi të bëhen ndryshimet në Komisionin pranë Ministrisë së Drejtësisë, ato do të kalojnë në një dëgjesë publike para komunitetit akademik, para sektorit joqeveritar, komunitetit të biznesit, mediave, për njohjen e qytetarëve dhe më pas parlamentit. Procedura do të fillojë në Kuvend, ku ka komision kushtetues dhe kalon nëpër procedurat që zbatohen për ndryshimet kushtetuese.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Përfaqësuesi i presidencës në grupin punues për ndryshimin e Kushtetutës do të jetë profesori i Fakultetit Juridik, Aleksandar Spasov, i cili është këshilltar i tij juridik. Bëhet e ditur se përgjigje pozitive ka dhënë profesori Jeton Shasivari, por edhe ish-gjyqtarja në gjykatën në Strasburg, Margarita Caca Nikolovska. Akademiku Vlado Kambovski e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë, me arsyetimin se nuk ka konsensus politik dhe se gjërat janë vendosur përmbys.
 
SANIJE DURAKU