Maqedoni

Ambientalistët: Masa të reja mbi sektorin e energjetikës,

10.04.2023 16:45

Ligji për aksionin klimatik përcakton mekanizmat për monitorimin dhe raportimin e gazrave serrë....

Ligji për aksionin klimatik përcakton mekanizmat për monitorimin dhe raportimin e gazrave serrë. Megjithatë, zbatimi i kuadrit ligjor do të kërkojë shumë kapacitete administrative, paralajmërojnë ambientalistët. Ata u ulën në tryezë me deputetët për të shqyrtuar se çfarë mbulon zgjidhja, si të zbatohet në praktikë, e se cilat vërejtje duhet pranuar.
 
“Masa të reja mbi të gjitha në sektorin e energjetikës, si njëri ndër më intensivët për ndryshimet klimatike. Sektori i arsimit, trasportit, i shëndetësisë, pra në përgjithësi të gjithë sektorët kanë në vete obligime nga ligji për aksionin klimatik. Në rend të tretë, por e rëndësisë së madhe është vendosja e mekanizmave për financimin e këtyre masave për aksionin klimatik, që është kompensimi i karbonit.”, - deklaroi Elena Nikollovska nga “EKOSVEST”.
 
PLD: Ligjet të mos mbeten në letër
 
Nuk është e rëndësishme vetëm miratimi i një ligji që do të mbetet në letër, por është i nevojshëm zbatimi i plotë i tij.
 
“Ajo që për ne është e rëndësishme si deputetë, është që para së të hyjë ligji në fuqi, të shohim se çfarë përfshin i njëjti, të kuptojmë nga persona kompetent se cilat janë përparësitë, por edhe vallë përmban ndonjë anomali e që duhet të intervenohet, ndoshta edhe me amendamente. Dhe akoma më e rëndësishme është që të na informojnë për kompetencat që në bazë të këtij ligji do t’i fitojnë institucionet kompetente, me qëllim që ne si kuvend të mundemi të bëjmë mbikëqyrjen se sa po zbatohet ligji.”, - theksoi deputetja e PLD-së, Monika Zajkova. 
 
Ligji për aksionin klimatik rregullon krijimin e një kuadri për veprimin klimatik për të reduktuar emetimet e gazeve serrë në atmosferë dhe për t'i larguar ato nëpërmjet absorbuesve natyrorë dhe të tjerë, si dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ligji në fjalë duhet të miratohet deri në fund të vitit.
 
BELINDA KOKA ADEMI