Maqedoni
Plenumi Studentor insiston në tërheqjen e Ligjit për Arsim të Lartë
12.02.2015 17:44
Plenumi Studentor i cili kërkon tërheqjen e Ligjit për Arsim të Lartë dhe shfuqizimin e provimit shtetëror ka vazhduar me zgjerimin e të ashtuquajturës “zona autonome”...

Plenumi Studentor i cili kërkon tërheqjen e Ligjit për Arsim të Lartë dhe shfuqizimin e provimit shtetëror ka vazhduar me zgjerimin e të ashtuquajturës “zona autonome”, duke okupuar edhe disa fakultete të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Ata kanë ndërhyrë sot duke ndërprerë ë ligjëratat në fakultetin ekonomik dhe fakultetet teknike.
“Plenumi Studentor kërkon të nënshkruhet marrëveshje mes një konference ndëruniversitare dhe Ministrisë së Arsimit, në të cilën do të përfshihen aspektet, siç vijojnë: pjesëmarrja e garantuar e Plenumit Studentor në hartimin e plotë të ligjit të ri, me qëllim që ai të reflektojë qëndrimet dhe perspektivat e studentëve; afat kohor gjatë së cilit do të hartohet ligji, përkatësisht përcaktim i qartë dhe kohë për draftin e parë dhe të dytë”- deklaroi një përfaqësues i plenumit.
Sa u përket kërkesave të studentëve, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, deklaroi se mirëpret vendimin e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” për të formuar grupin e punës që duhet të zhvillojë bisedimet për ndryshimet e reformës në arsim, duke u paraprirë takimeve që duhet të fillojnë javën e ardhshme.
“Në takimin e fundit që kishim në qeveri u dakorduam që të pranojmë kërkesat e tyre për prolongimin e implementimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Ligjit për Fakultetet Pedagogjike për një vit, kurse sa i takon plotësimit të kritereve për mësimdhënësit, për dy vite. Parlamenti kërkesën tonë dje e miratoi dhe ky ligj tanimë është i prolonguar dhe jemi në fazën kur ne do të inkuadrohemi në debat me të gjitha universitetet në vend, por edhe me studentët”- tha ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi theksoi se të hënën do të mbahet takimi i pare i grupeve punuese, që do të drejtohen nga vetë ministri dhe rektori i universitetit të Shkupit.
Një debat i këtillë do të zhvillohet edhe me të gjitha universitetet tjera dhe studentët dhe deri në qershor do të dalin me konstatim nëse duhet të miratohet ligj i ri për arsimin e lartë.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
