Botë

Simboli i eksodit, Sherife Luta kthehet sërish pas 24 vitesh në Bllacë

10.04.2023 17:53

Kosovarët kujtojnë sot momentet e vështira të dëbimit drejt Bllacës nga forcat serbe....

Kosovarët kujtojnë sot momentet e vështira të dëbimit drejt Bllacës nga forcat serbe. Sherife Luta, një nënë e re me foshnjën në krah, ishte bërë simbol i eksodit të shqiptarëve të Kosovës në luftën e vitit 1999. Ajo pas 24 vitesh u kthye sërish në Bllacë, por kësaj radhe, jo si refugjate, por për të vizituar Memorialin përkujtimor “Bllaca 99”, për të kujtuar 24-vjetorin e eksodit masiv dhe për të rrëfyer sërish vuajtjet e rrugëtimit të kolonave me njerëz drejt kampit të Bllacës në Luftën e Kosovës.
 
“Kam ardh me i vizitua ato vuajtje e dhimbje që kemi përjetuar, unë dhe ato e tërë Kosova dhe ato vuajtje nuk bën t’i harrojmë dhe nëse harrojmë nuk mundemi të mbërrijmë përpara. I kujtoj me dhimbje, vuajtje e me hjeka. Kam me vdek e s’do t’i harroj ato vuajtje që i kam përjetuar unë dhe tërë populli shqiptar. Ka qenë kohë e vështirë, sepse kemi udhëtuar shumë, kemi qenë me fëmijë”, u shpreh Luta.
 
Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99”.