Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, seancë e mbyllur për dëshmitaren e parë

11.04.2023 13:08

Prokurori në Gjykatën Speciale në Hagë....

Prokurori në Gjykatën Speciale në Hagë ka kërkuar seancë të mbyllur për dëshmitaren e parë të Hagës, ndërsa si shkak është potencuar identiteti i saj.

Gjatë kohës që seanca kaloi në seancë private, dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të cilat sipas gjykatës mund të ndikonin në zbulimin e identitetit të saj. E njëjta është marrë dy herë në pyetje nga Prokuroria.

Më pas një pjesë e seancës u hap për publikun. Por, sërish pas sqarimit të disa dokumenteve shtesë që i kishte pranuar gjyqtari Mathju Halling, prokurori i rastit kërkoi që i tërë procesi i marrjes në pyetje të dëshmitares të kalojë në seancë private.

 Lidhur me këtë është shprehur i revoltuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku. Ai gjithashtu ka përmendur faktin që dëshmitarja është e mbrojtur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi fytyra dhe zëri i saj janë fshehur.

“Pak po iu duket që i fshehët fytyrën dhe zërin e dëshmitares, veç edhe kalojnë në seancë edhe më private”, ka shkruar Klinaku në rrjetin social Facebook.