Osmani viziton vendkalimin Odzisi në Gjeorgji
Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani....

Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, sot vizitoi vendkalimin Odzisi në Gjeorgji, ku ka pasur rastin t’i shohë drejtpërdrejt efektet në popullatën e ndarë si pasojë e konfliktit të vitit 2008. Liria e lëvizjes së njerëzve në Odzisi është plotësisht e bllokuar nga një “mur ndarjeje” që është për të ardhur keq dhe e papranueshme në shekullin e 21-të, potencoi Osmani.
“Njerëzit këtu nuk kanë mundësi t’i vizitojnë të afërmit dhe miqtë e tyre, të shfrytëzojnë tokën bujqësore, janë të privuar nga mundësia për të vizituar objektet fetare. Kjo situatë është e paqëndrueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të OSBE-së dhe idealet civilizuese. Njerëzit duhet ta rifitojnë lirinë e tyre të lëvizjes si e drejtë themelore e njeriut dhe kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në do të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i ndihmuar ata që janë drejtpërdrejt të rrezikuar nga konflikti. Ju siguroj se unë si kryesues i OSBE-së, së bashku me partnerët tanë do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të përmirësuar gjendjen e të gjithë personave të zhvendosur dhe të margjinalizuar, si dhe familjeve të të zhdukurve.”, - deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
