Sulmi në Kentaki, publikohen pamjet nga vrasja në Instagram

11.04.2023 13:38

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi i Kentakit....

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sulmi i Kentakit, që tronditi ShBA-në. Pesë persona humbën jetën atje, pasi një punonjës banke hapi zjarr mbi kolegët, në një sulm të cilin ai vetë e transmetoi drejtpërdrejtë në Instagram.

Policia reagoi brenda vetëm tre minutash dhe e qëlloi për vdekje autorin e ngjarjes, të identifikuar si Connor Sturgeon, 25 vjeç.

“Hetimi po vazhdon, ndaj do t`i kërkoj publikut ta shmangë këtë zonë, megjithëse rrezik aktiv nuk ka. Ky ishte akt i një personi të vetëm, i cili tashmë është neutralizuar.”.

Connori i ishte bashkuar vitin që shkoi bankës Old National si punonjës me kohë të plotë. Sipas mediave vendase, 25 vjeçari ishte njoftuar se do të pushohej nga puna dhe kishte shkruar një letër, në të cilën përshkruante planet e tij për sulmin, përpara se të shkonte në zyrë të hënën. Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të aprovojë masat për kontrollin e armëve në vend, ndërsa shkroi në Twitter se “shumë amerikanë po e paguajnë me jetët e tyre çmimin e këtij mosveprimi”.