Botë
ShBA, hetim për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara
11.04.2023 14:19
ShBA dhe Koreja e Jugut janë të pajtimit që një numër i konsiderueshëm i dokumenteve të zbuluara nga inteligjenca amerikane...

ShBA dhe Koreja e Jugut janë të pajtimit që një numër i konsiderueshëm i dokumenteve të zbuluara nga inteligjenca amerikane, duke përfshirë edhe pjesë të bisedave të supozuara private, janë të rreme. Ministria e Drejtësisë ka nisur një hetim për materialet nga Pentagoni, të cilat janë publikuar në rrjetet sociale. Dhjetëra fotografi po qarkullojnë disa javë në Twiter, Telegram dhe Diskort. Një pjesë e hetimeve koncentrohet në pjesën se sa të dhënat e zbuluara janë përhapur në mënyrë interne që të kufizohet rrethi i fajtorëve të mundshëm.
“Hetimi sapo ka nisur. Nuk e dimë kush qëndron pas kësaj. Ne as nuk e dimë se cili ishte motivi. Ky informacion nuk është për publikun, nuk është për faqet e para të gazetave apo televizionet.”, - deklaroi Këshilli i sigurisë nacionale pranë Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi.
“Pjesa më e madhe e informacionit të zbuluar është e falsifikuar dhe rivlerësimi është i qëndrueshëm. Meqenëse kjo është një çështje e brendshme e ShBA-ve, Departamenti i tyre i Drejtësisë do të hetojë incidentin dhe për këtë nevojitet kohë. Të dy vendet janë në një aleancë inteligjence, ne bashkëpunojmë në aktivitetet e inteligjencës për çështje të rëndësishme.”, - theksoi zëvendëskëshilltari për siguri nacionale, Kim Tae Hjo.
Në dokumentet, nga shkurti deri në mars, ka informacione rreth aleatëve të ShBA-ve. Përmenden të dhëna mbi strategjinë dhe burimet ushtarake të Ukrainës, aktivitetin e supozuar të mbikëqyrjes së ShBA-ve kundër Izraelit dhe raportet se Mosad organizoi demonstrata kundër kryeministrit izraelit, Netanyahu.
“ShBA-të kryejnë një hetim serioz, duke u bashkuar me partnerët për të kuptuar më mirë pasojat e mundshme. Si person ushtarak, nuk besoj se i gjithë informacioni duhet të jetë publik. Besoj se ka një interes kombëtar për të mbrojtur disa prej tyre. Në rrethana të tilla, ky publikim i materialeve besoj se është i dëmshëm.”, - theksoi gjenerali, Angus Kempbell.
Sipas Reuters, një zyrtar anonim amerikan citoi teori të shumta rreth incidentit, duke filluar nga skenarët e pakënaqur të punonjësve deri te një kërcënim i brendshëm për të minuar interesat e sigurisë kombëtare. Rasti i fundit është krahasuar me publikimin e mijëra dokumenteve nga WikiLeaks në vitin 2013.
FLUTURA LATIFI
