Maqedoni

Bekteshi: Qeveria korrigjoi çmimet e “ngrira” të perimeve

11.04.2023 14:56

Qeveria rriti sot çmimet e ngrira të domateve, trangujve, specave dhe qepëve....

Qeveria rriti sot çmimet e ngrira të domateve, trangujve, specave dhe qepëve. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se çmimet e ngrira po rriten për shkak se çmimet e importit janë rritur në kushtet kur ende nuk ka prodhim vendor.
 
“Rritje të çmimeve ka për faktin se në Drejtorinë doganore janë rritur çmimet mbi 30% për domatet, trangujt, qepët dhe fasulet. Rritje ka për domatet, 95 denarë është çmimi më i lartë. E njëjta gjë vlen edhe për trangujt dhe qepët, të cilat rriten për 10 denarë. Për specat, çmimi maksimal është 100 denarë. Vetëm thjerrëzat janë 110 denarë, të gjitha çmimet tjera janë nën 100 denarë.”, - tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Bekteshi thotë se janë bërë disa korrigjime të vogla, sepse kemi çmime të reja të importit nga drejtoria doganore.
 
“Ne kemi bërë çmime mesatare të importit nga 15 deri më 28 mars. Nga data 28 mars deri dje kemi çmime të reja të importit që janë paraqitur sipas faturave nga Drejtoria doganore. Prandaj vendosëm të bëjmë një korrigjim të vogël, sepse çmimet e raportuara janë shumë më të larta se ato që raportoheshin para datës 28 mars. Prandaj, për të mos shkaktuar dëme apo për të mos u përballur me mungesë të produkteve të caktuara, vendosëm të bëjmë ndryshime dhe të rrisim në përputhje me rrethanat përqindjet e taksës doganore dhe çmimet e shitjes me pakicë.”. 
 
Çmimet e vjetra të ngrira për domatet ishin 70 denarë, qepa 60 denarë, trangujt 75 denarë, ndërsa specat nuk mund të shiten më shumë se 90 denarë për kilogram. Kontrollet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut nga Administrata e të Ardhurave Publike dhe Drejtoria e Policisë Financiare do të vazhdojnë të bëhen çdo ditë dhe në baza ditore do të kontrollojnë edhe çmimet e importit dhe nëse është e nevojshme do të bëhen korrigjime të reja. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi pas shpalljes së vendimit në Gazetën Zyrtare dhe do të jenë të vlefshme deri në fund të muajit.
 
SEDAT SELIMI