Maqedoni

Lloga reagon ndaj ofendimeve të Manevës: Këshilli Gjyqësorë të përcaktojë përgjegjësi

11.04.2023 20:05

Ministri i drejtësisë Krenar Lloga kërkon dënimin e kryetares së Gjykatës në Kumanovë...

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i ka kërkuar Këshilli Gjyqësor të ndërmerr masa në përputhje me ligjin dhe të përcaktojë përgjegjësinë e ushtrueses së detyrës kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Manev, e cila ndaj gjykatësve shqiptarë përdor terme ofenduese si “shiptari, të paaftë” dhe “bagëti”. Pas këtij skandali, Lloga I ka kërkuar nga Këshillit Gjyqësor që të sanksionohet kryetarja e Gjykatës së Kumanovës, ose në të kundërtën edhe atij si ministër ti drejtohen me "shiptar".  
 
“Theksoj domosdoshmërinë e ndërmarrjes së reagimit më të mprehtë dhe masave të duhura për të përcaktuar përgjegjësinë dhe për të sanksionuar këtë lloj sjellje dhe për të inkurajuar gjuhën e urrejtjes në bazë kombëtare. Nëse gjendja e cekur mbetet e pandryshuar, shprehimisht ju kërkoj që në korrespondencën dhe komunikimin e ardhshëm me mua si ministër i drejtësisë, të më drejtoheni duke përdorur të njëjtin fjalor dhe terminologji që përmbahen në pretendimet nga raporti i vizitës së punës.”, ka thënë Lloga. 
 
Kërkesa e Llogës bazohet në raportin nga vizita e punës e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor më 1 shkurt të këtij viti. Në raport mes shkeljeve të shumta, procedurave jo ligjore dhe sistemimit jo adekuat është konstatuar edhe qasja nacionaliste dhe nënçmuese e kryetares Manev. Raporti është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit Gjyqësor, ku  në faqen 9 dhe 10 thuhet:
 
“Veç tjerash në raste të caktuara përdorë nënçmime në baza kombëtare, konkretisht kualifikime se gjykatësit shqiptarë janë bërë “shiptari të paaftë”, ndërsa gjykatësit e tjerë etiketohen si “i çmendur” dhe “e çmendur”, ndërsa të punësuarve në gjykatë i referohet me “bagëti”. 
 
Për ofendimet e Manevës ishin ankuar paraprakisht edhe të punësuarit me anë të një letre publike drejtuar Këshillit Gjyqësor, Qeverisë dhe ambasadorëve të huaj. 
 
LEONORA KALIQI