Maqedoni

Strugë-Ohër, ka mungesë të stafit të hotelerisë

12.04.2023 14:31

Po afrohet sezoni turistik veror në Strugë dhe Ohër, ndërsa hoteleria po përballet me mungesë të stafit....

Po afrohet sezoni turistik veror në Strugë dhe Ohër, ndërsa hoteleria po përballet me mungesë të stafit. Nga shoqata e hotelerisë thonë se ikja e punonjësve turistik jashtë vendit është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet ky sektor. Ka mungesë kryesisht të kamerierëve, kuzhinierëve dhe të punësuarve për mirëmbajtjen e higjienës dhe dhomave hotelerike. Megjithatë do të ketë punësime sezonale dhe pritet që sezoni të kalojë mirë, me kualitet të lartë të shërbimit. 
 
“Shpresoj se do të gjejmë një mënyrë për t'u marrë, kemi punësime sezonale që janë të tilla çdo vit dhe janë në qershor, korrik dhe gusht dhe gjysma e shtatorit, shpresojmë përsëri për ato punësime sezonale, kështu që njerëzit që kanë punuar vitet e kaluara po lajmërohen prapë. Është një fakt interesant që vitin e kaluar kemi punuar me një projekt për punësimin e fëmijëve 16-17 vjeç dhe janë punësuar rreth 30 fëmijë, jemi mjaft të kënaqur, duan të mësojnë dhe punojnë. Këto punësime kanë qenë të tipit nga plazhet, shezlonget, fast food-et, lokalet, në ambientet e restoranteve, kane ndihmuar shumë dhe shpresoj të jenë një ndihmë e madhe edhe këtë vit.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës së hotelerisë, Kërste Blazheski.
 
Nga shoqata e hotelerisë thonë se pritet një sezon i mirë turistik, i cili tashmë ka filluar. Ndërsa dy fundjavat e ardhshme për festat e Pashkëve dhe Bajramit pritet të vijnë turistë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, por edhe nga jashtë shtetit, kryesisht nga Greqia dhe Turqia. 
 
“Tashmë kemi hyrë në pranverë dhe shohim gjithnjë e më shumë turistë nga vendet përreth që po kalojnë dhe qëndrojnë një ose dy net dhe fundjavë, por së shpejti do të fillojnë edhe turistët që do të qëndrojnë tre-katër ditë. Edhe për festat ka rezervime, këto janë festa familjare, por sigurisht njerëzit kur kanë më shumë ditë pushimi, duan t’i shfrytëzojnë, ndonjë fundjavë jashtë vendit ose qytetit të tyre. Ka mysafirë grekë, grupe turke të cilat janë për disa ditë dhe shpresojmë që të dalin të gjithë ata që janë planifikuar.”, - u shpreh kryetari i hotelerisë, Kërste Blazheski. 
 
Shumë hotele të cilët gjatë periudhës së dimrit, kryesisht në muajt janar dhe shkurt nuk punuan, tashmë janë rihapur dhe po punojnë kapacitet të plotë. Nga maji pritet të vijnë numër i madh i turistëve të huaj, të cilët do të vazhdojnë deri në shtator. 
 
ILMIE ZHAKU