Maqedoni
Osmani në Baku: Njerëzit e këtij rajoni s’duan konflikt
12.04.2023 14:53
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë mbështet një zgjidhje paqësore

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë mbështet një zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ka thënë kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani, në vizitën e tij në Baku. Në takim me homologun e tij, Xhejhun Bajramov, Osmani ka ndarë përvojat e RMV-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët, duke inkurajuar Armeninë dhe Azarbejxhanin të gjejnë mekanizma lehtësues për dialog si dhe të ndërtojnë besimin që çon drejt normalizimin e marrëdhënieve.
“Qëndrojmë prapa çdo përpjekjeje që ofron dinamikë pozitive për zbatimin e plotë të masave të dakorduara më parë dhe identifikimin e fushave të reja për marrëveshje. Gjithashtu inkurajoj angazhimin e vazhdueshëm dypalësh ndërmjet Azerbejxhanit dhe Armenisë drejt paqes dhe zgjidhjes së çështjeve kryesore, si demarkacioni dhe hapja e linjave të komunikimit.”, - deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Bajramov: Jemi shtet i dialogut dhe paqes
Shteti i Azerbajxhanit promovon dhe dëshiron paqe që buron nga bashkëpunimi dhe dialogu, ka thënë ministri, Bajramov, i cili është mirënjohës për bashkëpunimin dhe rolin e OSBE-së në këtë rajon.
“Jemi shumë mirënjohës për rolin e OSBE-së. E dimë rëndësinë dhe bashkëpunimin me OSBE-në. Duam që të respektohet edhe bashkëpunimi me OSBE-në. Duam të respektohet integriteti territorial i shtetit tonë. Azerbajxhani është shtet që do paqe dhe kontribuon për paqen në botë. Duam dhe mbështesim dialog me parime.”, - theksoi ministri i jashtëm i Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov.
Në takim është diskutuar edhe siguria globale dhe realiteti me agresionin rus, që sipas Osmanit kjo situatë paraqet kërcënim serioz për vlerat dhe parimet e OSBE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
