Maqedoni
Hapet qendra këshilluese për viktimat e dhunës, e hapur edhe linja pa pagesë 141 700
12.04.2023 15:15
Viktimat e dhunës në familje tani më do të kenë edhe një derë të hapur për mbështetje....

Viktimat e dhunës në familje tani më do të kenë edhe një derë të hapur për mbështetje. Këshilli Nacional për Barazi Gjinore hapi qendrën këshilluese për ndihmë psiko-sociale dhe juridike të viktimave të dhunës në familje dhe atyre në bazë gjinore. Në shërbim të viktimave është edhe linja telefonike pa pagesë dhe të besueshme 141 700 e qasshme në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Me këtë rast u nënshkrua memorandum për bashkëpunim me MPB-në.
“Duam t’i japim porosi të gjithë atyre të cilët për momentin janë duke u përballur me çfarëdo lloj dhune, të inkurajohen, të marrin guximin t’i paraqesin rastet dhe se bashkërisht edhe nga sektori joqeveritar edhe nga institucionet e shtetit do të bashkohen forcat për të dalë si persona të shëndetshëm, të jenë aktiv në shoqëri dhe të përkrahur në familje.”, - deklaroi Këshilli nacional për barazi gjinore, Savka Nikollovska.
“Pasojat të cilat mund të kenë viktimat, që në të shumtën e rasteve janë gra dhe vajza, janë të tmerrshme, bazuar në potencialin e tyre, por edhe dëmin që shkaktojnë. Pavarësisht nëse është fizike, materiale apo psikike.”, - theksoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Qëllimi i projekteve të tilla u tha se është të krijohet kornizë për bashkëpunim dhe zbatim të aktiviteteve të përbashkëta të sektorit civil dhe institucioneve kompetente.
LEUNORA KALIQI
