Maqedoni

Pushteti dhe opozita, akuza për mostransparencë për Korridoret 8 dhe 10-D

12.04.2023 16:21

Ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, sërish janë bazë për këmbimin e akuzave mes qeverisë dhe opozitës...

Ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, sërish  janë bazë për këmbimin e akuzave mes qeverisë dhe opozitës. Kryeministri  i vendit dhe lideri i LSDM-së Kovaçevski dhe kreu i VMRO-DPMNE-së Mickoski shkëmbyen akuza për mostransparencë dhe gënjeshtra në opinion. Kryeministri Kovaçevski thotë se të gjitha ndryshimet ligjore të cilat i referohen Korridoreve 8 dhe 10-D bazohen në ligjin special të miratuar për këtë projekt infrastrukturor.
 
“Qëllimi është që punëtori i cili dëshiron të punojë në baza vullnetare më shumë se sa orët e përcaktuara me ligj, ajo t’i paguhet si orë shtesë e veçantë, ndërsa në fundjavë ose ditëve të diela të paguhet plus 50 për qind mëditje më e madhe. Me këtë do të mbeten më shumë mjete financiare në shtet, do të përshpejtohet ndërtimi i rrugës dhe do të zvogëlohet shuma totale e kostove, duke pasur parasysh se ndërtimi do të përfundojë më shpejt.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Për liderin e opozitës Mickoski, me mospublikimin e kontratës me kontraktorin “Bechtel dhe Enka”, si dhe me ndryshimet e planifikuara në tetë ligje, në vend që të mbrojë interesin e shtetit dhe qytetarëve, qeveria po mbron investitorin. Ai kërkoi nga presidenti Pendarovski që të mos i nënshkruajë dekretet për ligjet e diskutueshme.
 
“I bëj thirrje që të mos fshihet pas Kuvendit dhe të dalë e të merr guximin dhe të mos i nënshkruajë ato zgjidhje ligjore që do t’i vijnë tek ai. Ai e ka atë mundësi të mos e pezullojmë rendin e duhur në shtet dhe të mos suspendojmë Kushtetutën. Thjeshtë një herë në këto pesë vjet si president le të punojë në interes të qytetarëve dhe shtetit.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Sipas kryeministrit Kovaçevski, pretendimet e opozitës për shpronësimin e pronave nuk janë të vërteta dhe se në fund ndryshimet ligjore do të dëshmojnë se kjo bëhet me qëllim uljen e kostos së projektit. Ndërkohë, komisionet amë të Kuvendit janë duke debatuar për ndryshimet ligjore. Për të njëjtin janë paralajmëruar  me mijëra amendamente.
 
SAFET ADEMI