Maqedoni

Propozim-ligjet për korridoret, pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella

12.04.2023 16:43

Në Kuvend ka filluar debati në komisionet amë lidhur me propozim-ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D...

Në Kuvend ka filluar debati në komisionet amë lidhur me propozim-ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Në komisionin amë për çështje ekonomike ku po diskutohej rreth ndryshimeve ligjore në ligjin për burimet minerale, nga VMRO-DPMNE hodhën kritika rreth asaj se pushteti po mban të fshehtë marrëveshjen e nënshkruar. Nuk ka kuptim që të debatojmë për diçka virtuale, thanë deputetët e VMRO-së. 
 
“Nuk kemi kushte për konstatime cilësore, nuk kemi kushte që opinioni të ketë tregim të qartë të ndodhive, nëse nuk na dorëzohet në çfarëdo lloj forme, në çfarë do mënyre, vetëm ta kemi marrëveshjen e nënshkruar para nesh që të mundemi të sjellim vendime racionale, të qëndrueshme dhe cilësore.”, - thanë nga VMRO-DPMNE. 
 
Nga BDI u kundërpërgjigjën duke thënë se VMRO-DPMNE vazhdimisht përpiqet që të dështojë realizimin e Korridorit 8, edhe pse i njëjti ka qenë premtim i kësaj partie. 
 
“Korridori 8, të mos harrojmë, ka qenë edhe propozim i VMRO-DPMNE-së, shumë vite më përpara, kanë filluar edhe punimet për Korridorin 8, realizimin e dimë të gjithë, të kishte pasur realizim, sot s’kishim pasur nevojë fare të diskutojmë për një propozim-ligj të tillë dhe për një projekt të këtillë, do të duhej të përfundon. Për 30 vjet në sirtarë është fshehur projekti i Korridorit 8, edhe kur është bërë si i tillë, është bërë qëllimisht që fare kurrë të mos ketë realizim, siç e kemi situatën sot.”, - theksoi Arbër Ademi nga BDI. 
 
Edhe në komisionin për punë dhe politikë sociale u debatua rreth propozim ndryshimeve ligjore në ligjin për marrëdhënie pune. Nga VMRO-DPMNE, edhe këtu hodhën kritika se pushteti po tenton të del mbi Kushtetutën dhe ligjin, i cili qartë tregon se koha e plotë e punës nuk guxon të jetë më e gjatë se 40 orë në javë. Pas kësaj ka pasuar votimi i rendit të ditës, që më pastaj debati do të vazhdojë rreth propozim amendamenteve. 
 
ERSAN PAJAZITI