Botë
Skandali me dokumentet sekrete, hetim penal për informacionet sekrete
12.04.2023 18:55
Ministria amerikane e Drejtësisë po zhvillon një hetim penal për informacionet sekrete të publikuara...

Ministria amerikane e Drejtësisë po zhvillon një hetim penal për informacionet sekrete të publikuara, të cilat ndër të tjera përmbajnë detaje të luftës së Ukrainës, si dhe përgjime të aleatëve. Pentagoni po e vlerëson dëmin e shkaktuar për sigurinë kombëtare, pasi disa nga dokumentet janë autentike. Rasti konsiderohet si publikimi më serioz i fshehtësive që nga afera “VikiLiks”.
"Lidhur me këto dokumente, ne jemi bashkuar me partnerët dhe aleatët në ditët e fundit për t'i siguruar ata për angazhimin tonë për të mbrojtur inteligjencën dhe partneritetet tona.", - deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken.
“Komunikoj çdo ditë me drejtuesit e të gjitha departamenteve. Urdhërova një bashkim të menjëhershëm dhe të ndërthurur të përpjekjeve të tyre. Problemi i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë. Dokumentet datojnë nga 28 shkurt deri më një mars. Nuk e di nëse dokumente të tjera janë publikuar në internet. Këto gjëra do t'i zbulojmë gjatë hetimit, por dokumentet që po fokusohemi tani janë ato nga shkurti në mars. Ato u vendosën në internet, por ne nuk e dimë saktësisht se ku dhe kush kishte akses në atë moment.”, - theksoi sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin.
Janë publikuar informacione për armët në dispozicion nga aleatët perëndimorë, si dhe për kushtet në terren në Frontin Lindor. Një dokument i 23 marsit tregon praninë e forcave speciale perëndimore që veprojnë në terren pa specifikuar detyrat e tyre specifike. Sipas këtyre të dhënave, Britania e Madhe ka 50 operativë, Letonia 17, Franca 15, SHBA-të 14, ndërsa Holanda ka vetëm një. Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë, thuhet se ka rënë dakord të dorëzojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato, sipas një dokumenti konfidencial të Pentagonit të siguruar nga “Reuters”. Beogradi zyrtar mohoi njoftimet. Për shkak të zbulimit të të dhënave, autoritetet ukrainase shtynë kundërsulmin e pranverës kundër ushtrisë ruse deri në verë.
BELINDA KOKA ADEMI
