Botë
BE: të respektohet marrëveshja e Minskut
13.02.2015 14:37
Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës kanë rënë dakord për një marrëveshje të paqes në Ukrainë, pas 16 orë bisedimesh në Minsk të Bjellorusisë...

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë thënë se marrëveshja parasheh që më 15 shkurt të nis armëpushimi, të tërhiqen armët e rënda dhe të krijohet një zonë e sigurisë.
Konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, i cili ka marrë mbi 5,400 jetë njerëzish, ka nisur qysh në prill të vitit 2014. Raportohet se marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe liderët e vetëshpallur të separatëve në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut.
Poroshenko ka thënë se dokumenti nuk ofron autonomi për rajonet që kontrollohen nga rebelët dhe gjithashtu parashikon që Ukraina të rivendos kontrollin mbi kufijtë e saj deri në fund të vitit 2015. Sipas Poroshenkos, marrëveshja bën thirrje edhe për lirimin e të gjithë njerëzve që mbahen peng nga të dyja palët, brenda tri javësh.
Presidenti i Francës, Franocis Hollande, i cili së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka negociuar me Poroshenkon dhe Putinin, ka falënderuar liderin rus për “trysninë” mbi udhëheqësit e rebelëve. Ai ka thënë se samiti i Misnkut ka sjellë një zgjidhje politike globale të krizës në Ukrainë dhe se kjo është “lehtësim për Evropën” dhe “shpresë për Ukrainën”.
Kancelarja Merkel është shprehur më e matur, duke thënë se ka një “fije shprese për Ukrainën”, por se mbetet “shumë, shumë punë për t’u bërë”. Ajo ka thënë se presidenti Poroshenko ka bërë gjithçka të mundur për të ndaluar gjakderdhjen në Ukrainë.
Rusia kundërshton akuzat e Ukrainës dhe të fuqive perëndimore se furnizon me armë dhe personel ushtarak rebelët, të cilët kërkojnë pavarësi për zonat që kontrollojnë.
