Pendarovski: Partitë të dakordohen për ndryshimet kushtetuese
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski...

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, ka ftuar partitë politike që të dakordohen rreth ndryshimeve kushtetuese. Ai ka shprehur gatishmërinë që të thirrur në një tavolinë të gjithë liderët e partive politike, por sipas tij deri sa nuk ka një pajtueshmëri mes partive nuk sheh arsye për të ftuar një takim liderësh.
“Unë jam i hapur për takime apo forume të tilla, por patjetër që të ketë pajtueshmëri nga dy apo tre, ose pesë palët e supozuara pjesëmarrëse. Në këtë moment nuk ka një pajtim të tillë. Pra, varet, nëse dëshirojmë të flasim për modelin kroat, pala tjetër thotë se atë çështje e kemi mbyllur para 20 viteve, nëse pala e parë thotë që të flasim për hyrjen e bullgarëve në kushtetutë dhe pse jo, sepse ajo është kushti thelbësor për të vazhduar tutje drejt Bashkimit Evropian, pala tjetër thotë jo. Pra, nuk mundet asnjë të ulet për bisedime me forcë.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.
Pendarovski: Nuk më pengon heqja e 20% për gjuhën shqipe
I pyetur për heqjen e 20 % nga kushtetuta që identifikon shqiptarët si përqindje, Pendarovski është shprehur pro heqjes së 20%.
Ai tha se nuk i pengon që të hiqet 20 për qindëshi për gjuhën shqipe, pasi etniteti shqiptar nuk mund të fshihet pas shifrave.
“Unë e kam thënë disa herë këtë, të paktën dy apo tre vitet e kaluara e kam thënë, në mënyrë absolute nuk më pengon, do të përkrahja një gjë të tillë, është e natyrshme, sepse një identitet etnik që është i qartë dhe faktik nuk mund ta fshehim pas numrave.”, - u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
Pendarovski: Vendimi për ligjet e Korridorit 8, pas miratimit
Ndërsa lidhur me kërkesën e kreut të VMRO-DPMNE-së, Kristijan Mickovski, që të mos dekretojë ligjet që kanë të bëjnë me Korridorin 8 dhe 10-D, kreu i shtetit nënvizoi se fillimisht duhet që ligjet të sillen fillimisht dhe më pas do të vendos se a do t`i dekretojë ose jo.
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, tha se kur bëhet fjalë për dekretim të ligjeve zakonisht nuk merr këshilla nga askush, e në këtë rast as nga partitë politike.
“Kur do të sjellin në versionin përfundimtar, do t’i votojnë në Kuvend, atëherë do të ulemi me ekipin tim, se a ka bazë për një gjë të tillë. Zakonisht kur bëhet fjalë për dekretimin e ligjeve, nuk pranoj këshilla nga askush, aq më pak nga partitë politike.”, - theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.
Këto komente, presidenti i vendit Stevo Pendarovski i ka bërë në Tetovë, ku morri pjesë në një ligjëratë në Universitetin e Evropës Juglindore. (Visar Sadiku, TVM2)
