Rasti “Besa Trans”, vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans”
Në Gjykatën Penale të Shkupit...

Në Gjykatën Penale të Shkupit vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans”. Gjykimi formalisht filloi nga e para, pasi që kanë kaluar 90-të ditë nga mbajtja e seancës së fundit.
Për këtë shkak u desh që gjykatësi sërish t’i identifikojë të akuzuarin dhe përfaqësuesin e kompanisë, ndërkaq prokurori në marrëveshje me avokatin e të akuzuarit u pajtuan që të mos lexohet sërish aktakuza, pasi që është e njëjtë dhe nuk ka kurrfarë ndryshimi, por vetëm u prezantua shkurt.
Gjykimi vazhdoi me deklaratën e përfaqësuesit të Doganës, Dragan Vasilevski, i cili foli për atë se çfarë sistemi përdoret për evidentimin e autobusëve gjatë kalimit të kufirit dhe çfarë dokumente duhen që të kalojë një autobus.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, përfaqësuesi i doganës pohoi se “Dogana ka sistem për evidentimin e daljes së autobusëve jashtë kufirit. “Besa Trans”, në sistem është evidentuar disa herë, pasi është transportues i rregullt, ekziston evidencë që ka dalë.”, tha përfaqësuesi i Doganës.
Asmir Alispahiq, avokat i pronarit të “Besa Trans”, tha se në bazë të përgjigjeve që dha në gjykatë përfaqësuesi i doganës, “Besa Trans” i ka plotësuar kushtet për transport ndërkombëtar.
“Përfaqësuesi i doganës duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të Prokurorisë dhe të miat si palë mbrojtëse, me të vërtetë dha përgjigje të qarta dhe koncize për mënyrën si një transportues për transport ndërkombëtar duhet të posedojë dokumente me qëllim të kalimit të pikës kufitare. Tha, që në bazë të rregullave ligjore, si dhe manualet e administratës doganore, transportuesi “Besa Trans” i ka plotësuar tërësisht kushtet, si dhe se ka qenë transportues i rregullt me licencat për transport rrugor. Pra, gjatë çdo kalimi kufitar nuk ka pasur probleme.”, - deklaroi avokati, Asmir Ali Spahiç.
“Besa Trans”, si person juridik dhe pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, akuzohen për falsifikimin e licencës së autobusit, i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2022, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar. (Rejhane Bushi - Metaj, TVM2)
