Botë

Vuçiq: Të shtyhen zgjedhjet në Veri të Kosovës

13.04.2023 15:54

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur në Rashkë përfaqësuesit e Listës Serbe nga Kosova...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thirrur në Rashkë përfaqësuesit e Listës Serbe nga Kosova, me ç’rast ka përsëritur qëndrimin se lista serbe nuk do të merr pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore të Kosovës. Zgjedhjet janë caktuar edhe pse Beogradi ka kërkuar që fillimisht të formohet Asociacioni ka thënë Vuçiq, sipas të cilit serbët kanë vendosur të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.
 
“Nuk u shkon mendja të formojnë Asociacionin. Dhe pastaj ata thanë, kanë thënë prej javësh, se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të prisheshin. Ju lutem imagjinoni, është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë, a e dini se kush ka aplikuar për zgjedhje. Aplikoi Vetëvendosje, PDK në Mitrovicë. Pra, partia e Thaçit dhe e Kurtit. Dhe tani, në bazë të 4% të tyre, sa prej tyre jetojnë në veri të Mitrovicës, jo në thelb, por në dukje, do ta sigurojnë që Kurti të jetë kryetar i Mitrovicës.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Vuçiq, njëherit bëri të ditur se masat e përgatitura nga qeveria në Beograd për serbët në Kosovë parasheh një shumë prej 28 milionë eurosh shtesë.
 
Haradinaj: Autoritetet të vendosin për shtyrjen e zgjedhjeve
 
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria, presidentja dhe institucionet e vendit që të marrin një vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në Veri.
 
“Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK.
 
Por, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Sipas tij, shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese, thekson Konjufca.
 
GYLTENE SINANI