Botë
Lufta në Ukrainë, Kuleba: Paqe e vërtetë është rivendosja e kufijve të Ukrainës
13.04.2023 16:16
Rusia ka filluar një ofensivë tjetër në lindje të Ukrainës, duke bombarduar disa qytete...

Rusia ka filluar një ofensivë tjetër në lindje të Ukrainës, duke bombarduar disa qytete, pika me e nxehtë e luftimeve disamujore po zhvillohen për kontrollin e qytetit të Bakhmudit, që gjendet në rajonin e Donjeckut. Duket që edhe ky qytet do të bije në duart e rusëve. Edhe banorët e Kharkovit janë zgjuar të tmerruar nga bombardimet.
“Isha duke fjetur, vetëm dëgjova një kërcëllimë të madhe, xhamat ranë mbi shtratin tim.”, - tha një banore.
“Të jetosh mes ankthit se në çdo moment mund të të ndodh diçka, është e rëndë, por nuk kemi ku të shkojmë, kjo është toka jonë.”, - tha një banor.
“Ata rusët largohen një periudhë, pastaj kthehen në befasi duke granatuar përsëri.”, - u shpreh një banor tjetër.
Shumë qytete të Ukrainës tashmë kanë rënë në duart e rusëve. Ministri i jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba thotë se nuk do të ketë paqe pa u rivendosur kufijtë e Ukrainës dhe pa i kthyer territoret e humbura.
“Të gjitha qytetet ukrainase dhe Krimeja duhet që sërish të jenë pjesë e Ukrainës dhe paqe të vërtetë mund të ketë pasi të rivendosen kufijtë e shtetit. Pa dallim, çdo qytet ukrainas, të gjithë duhet të jenë sërish pjesë e Ukrainës.”, - deklaroi ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
ShBA dhe BE-ja vazhdimisht e kanë mbështetur Ukrainën, jo vetëm me armatim, por duke vendosur edhe sanksione ndaj Rusisë, por kësaj radhe ShBA sanksionoi mbi 120 subjekte që mbështesin pushtimin rus të Ukrainës. Departamenti amerikan i thesarit njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj ekspertëve financiarë rusë dhe atyre që mundësojnë shmangien e sanksioneve në mbarë botën, përfshirë Turqinë, Hungarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe individëve e kompanive në Kinë.
“ShBA-ja do të vazhdojë të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe atyre që ndihmojnë luftën e saj në Ukrainë, duke përfshirë zbatimin e mëtejshëm të obligimit në kuadër të G7, për të imponuar pasoja të rrepta ndaj aktorëve të vendeve të treta që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë.”, - theksoi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
Që kur ka nisur lufta, shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj entiteteve dhe individëve rusë që ndihmojnë makinerinë ushtarake të Moskës. Ndërkaq, shtetet e NATO-s dhe shtetet e tjera vazhdimisht dërgojnë ndihma ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të përballet me forcat ruse.
FARIJE DAUTI BAKIJU
