Botë
Rrjedhja e dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane, FBI arreston 21-vjeçarin Teixeira
13.04.2023 21:24
Në SHBA, FBI ka arrestuar Jack Teixeira, të dyshuarin për rrjedhjen e dosjeve sekrete të Pentagonit...

FBI ka vënë në pranga 21-vjeçarin Jack Teixeira, si i dyshuar për nxjerrjen e dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane. Ndërkohë operacionet po vijojnë në Dighton-in e veriut dhe Massachusetts sipas mediave në vend.
I pyetur nëse mund të konfirmojë se Jack Teixeira ishte personi që dyshohet se i ka nxjerrë dokumentet sekrete, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Megjithatë, ai shtoi se aktualisht po kryhen hetime dhe se kjo është një çështje e Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së.
Teixeira ishte identifikuar nga The New York Times përpara arrestimit të tij të enjten si drejtuesi i grupit online ku u postuan dokumentet e klasifikuara.
FBI kishte ngushtuar numrin e njerëzve që ata besonin se mund të ishin përgjegjës për rrjedhjet dhe ditëve të fundit kishin marrë në pyetje disa persona.
