Shqipëri, nis fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale
Në Shqipëri nis sot zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale...

Në Shqipëri nis sot zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj. Rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste te Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkeljd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin, ndërsa PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit.
