Maqedoni

Ademi: të gjithë fëmijët kanë të drejtë të arsimohen

13.02.2015 15:46

Në pesë vitet e fundit, 31 shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme janë pajisur me teknologji ndihmëse dhe qasje në softuer...

Në pesë vitet e fundit, 31 shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme janë pajisur me teknologji ndihmëse dhe qasje në softuer, duke krijuar kushte për nxënës me nevoja të veçanta arsimore në arsimin e rregullt.
 
Kjo është mundësuar nëpërmjet projekteve të USAID-it dhe Shoqatës Joqeveritare “Hapni dritaret”, theksoi në prezantimin e sotëm të këtij projekti ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i cili me këtë rast theksoi se të gjithë fëmijët kanë të drejtë për arsimim.
 
“E drejta për arsim në Republikën e Maqedonisë është e garantuar edhe për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore. Këta nxënës, varësisht nga mundësitë individuale, mësimin mund ta ndjekin në shkolla speciale, ose shkollat e zakonshme. Për të arritur sukses më të madh në shkollë, bashkëpunimi i institucioneve me sektorin joqeveritar është më se i dobishëm. Partnerët tanë, USAID dhe OJQ “Hapni dritaret”, përmes projektit të arsimit elektronik kanë bërë shumë në këtë fushë”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Drejtori i USAID-it në Maqedoni, Xhejms Stajn, tha se mësimi është rruga që krijon mundësi, ndërsa mundësitë sigurojnë zhvillim individual.
 
“Kur më shumë njerëz përparojnë, përparon edhe shoqëria, ekonomia zhvillohet dhe e mbështet stabilitetin e demokracisë. Modelet e ndryshme të mësimit e përforcojnë arsimimin dhe e zvogëlojnë kriminalitetin dhe varfërinë. Me rëndësi të madhe është që të gjithë fëmijët në Maqedoni të kenë qasje te arsimimi kualitativ”- tha Xhejms Stajn nga USAID-i.
 
Rëndësinë që të gjithë fëmijët të kenë qasje te arsimi kualitativ e theksuan edhe nga Shoqata Joqeveritare “Hapni dritaret”, por atë e theksoi edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski.
 
GYLTENE SINANI