Maqedoni
Ademi: mbetemi në qëndrimin për reforma në arsim
13.02.2015 16:16
Përfaqësuesit e Plenumit Studentor vazhdojnë protestat me kërkesën për tërheqjen e plotë të Ligjit për Arsimin e Lartë...

Por, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, thotë se sipas marrëveshjes mes qeverisë dhe përfaqësuesve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, tanimë janë formuar grupet punuese, të cilat do të punojnë në mënyrë intensive gjatë muajve të ardhshëm, me qëllim të përpilimit të një teksti i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë palët.
Takimi i parë është caktuar për ditën e hënë, thekson Ademi, duke insistuar në qëndrimin se duhet përforcuar kriteret në arsimin e lartë.
“Ne edhe më tej qëndrojmë në qëndrimet tona, që duhet të përforcohen kriteret për mësimdhënësit në universitete dhe duhet të ndërtohen mekanizma juridik për kontrollin e cilësisë së studentëve, ose studentëve që studiojnë në RM-së, sepse konstatim i përbashkët është që kemi ulje të cilësisë në arsimin e lartë dhe këtë konstatim e kemi edhe me universitetet”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Edhe dekani i Fakultetit të Makinerisë, Atanas Kocov, duke folur në emër të dekanëve të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, ftoi studentët që të përfshihen në grupet punuese.
“Kemi mirëkuptim të plotë për reagimet e Plenumit Studentor dhe jemi të bindur në dëshirën e tyre të sinqertë për përmirësimin e kualitetit në arsimin e lartë. Por, megjithatë mendojmë se problem mund të ketë dhe patjetër të zgjidhet nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre të plotë dhe aktive në grupet punuese të formuara për përpilimin e ligjit të ri për arsimin e lartë”- tha dekani i Fakultetit të Makinerisë, Atanas Kocov.
Por, nga Plenumi Studentor janë skeptik në arritjen e marrëveshjes, prandaj edhe nuk mund të vlerësojnë si do të zhvillohet e tërë kjo situatë.
“Realisht, jemi skeptik në të gjitha ato që priten nga këto institucione, nga përvoja jonë e kaluar kur premtimet nuk u realizuan dhe kishte vetëm disa prolongime, ashtu që skepticizmi mbetet”- u shpreh një përfaqësuese e Plenumit Studentor.
Dhe derisa Plenumi i Studentëve dhe Ministria e Arsimit mbeten në qëndrime të kundërta, i gjithë universiteti është “zonë autonome”, e shpallur nga plenumi që para tre ditësh.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
